Firmosja e Bismark Charles për Vllazninë ka qënë ndër transfertat më në zë të kësaj merkato verore në Abissnet Superiore. Një lëvizje kjo që përfshiu katër klube, Skënderbeun që disponon kartonin e tij, si dhe nga ana tjetër Egnatian, Dinamon dhe Vllazninë që e kërkonin me ngulm. Sidomos, lufta mes këtyre dy të fundit, Dinamos dhe Vllaznisë, ka qënë tejet e fortë deri në çastet e fundit, ku në finish, fitues dolën kuqeblutë. Faqja sportive, Superliga Shqiptare Fan Club, sjell në imtësi detajet e 48 orëve të fundit të Bismarkut, mes kryeqytetit dhe Shkodrës,
………..
Shifrat dhe detajet: 48 orët e Bismarkut mes kryeqytetit dhe Shkodrës, ja si fitoi Vllaznia duelin e merkatos!
Bismark Charles tek Dinamo dështoi dhe kjo edhe pse 2 klubet ranë dakord për shifrën e transferimit. Takaj vendosi të pranonte ofertën e Bardhit për 100 mijë euro cash dhe 50% të kartonit. Skënderbeu pranoi, pavarësisht se fillimisht kërkonte 200 mijë euro. Presidenti i “Ujqërve” kërkoi që Dinamo të merrej vetë me agjencinë.
Aty ngeci marrëveshja, kur kompania e menaxhimit të sulmuesit ganez paraqiti kërkesat e saj: pagë rreth 8000 euro neto në muaj, nga 3000 që e kishte te Skënderbeu, plus një komision i rëndë, mbi 20 mijë euro, për vetë kompaninë.
I irrituar, presidenti i Dinamos të dielën në darkë dha urdhër për tërheqje nga bisedimet, duke u bindur edhe nga paraqitja e mirë e Guindos kundër Vllaznisë.
Dinamikat ndryshuan ditën e djeshme, kompania e Bismark u ofroi firmën bluve duke hequr dorë nga pretendimet ekonomike, por duke kërkuar nga presidenca dinamovite 15% të kartonit në rast shitje. Dinamo refuzoi dhe pse sulmuesi ishte në Tiranë dhe gati për firmë.
Vllaznia përfitoi duke u afrua kushtet të favorshme huazimi. Ekipi shkodran do të përfitojë 20% të shifrës në rast të shitjes së Bismark, pjesën tjetër Skënderbeu dhe agjencia e menaxhimit. Me kushtin që shkodranët të mos bëhen pengesë për shitjen e tij kurdo.
Sulmuesi mbetet ende në treg, pasi agjencia e tij po sheh tregun e Turqisë për të tentuar një lëvizje.