Nuk ka pushim për Vllazninë. Skudra e drejtuar nga tekniku Edi Martini ka lënë pas ndeshjen me Egnatian kryesuese, ku falë golit të shënuar nga Sherif Kallaku, fituan me rezultatin 1 me 0, dhe tashmë përgatitjet janë përqëndruar për ndeshjen e radhës.
Një sfidë kjo, e cila është po aq e vështirë sa Egnatia, pasi do të luhet në transfertë përballë Dinamos, me të cilën ndan vendin e tretë dhe të katërt në renditje me pikë të barabarta, 33.
Atmosfera në gjirin e skuadrës kuqeblu në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishme duket mjaft optimal, ku në dispozicion të trajnerit Edi Martini janë të gjithë futbolistët e kontigjentit të skuadrës, përfshirë edhe ato që më herët kanë shfaqur probleme shëndetësore.
Dy fitoret e para të vitit 2026, me Pogradecin dhe Egnatian, kanë karikuar skuadrën duke i vënë objektiv vetes për një tjetër fitore, kësaj radhe me Dinamon duke përsëritur atë që realizuan në stadiumin “Loro Boriçi” për fazën e dytë.
Pozitive, për kampin kuqeblu, është edhe vlerësimi i trajnerëve të ekipeve kombëtare, të cilët në përzgjedhjen e formacionit dhe trajnerit më të mirë të javës së 19-të të kampionatit “Abissnet Superiore”, kanë votuar për katër pjesëtar të Vllaznisë.
Ato nisin nga pankina, me trajnerin Edi Martini, i cili është përzgjedhur si trajneri më i mirë i kësaj jave, për të vijuar me mbrojtësin e majtë Andrey Yago, mesfushorin Klinti Qato i Vllaznisë dhe sulmuesin Sherif Kallaku.
Sa i takon kalendarit të javës së 20-të të kampionatit Abisnet Superiore”, sektori i garave pranë FSHF-së ka planifikuar që kjo javë të luhet në dy ditë, të dielën dhe të hënën.
Të dielën në program janë dy ndeshje, Egnatia do të përballet me Elbasanin, ndërsa Flamurtari do të pres në shtëpi skuadrën e Bylis.
Ndërkohë ditën e hënë do të zhvillohen tre duelet e tjera, ku pas Vora-Tirana që do të luhet në orën 13:30 dhe Partizani-Teuta në orën 17:00.
Java e 20-të mbyllet me kryendeshjen, Dinamo-Vllaznia, duel ky që do të luhet në stadiumin “Air Albania” duke filluar nga ora 19:30 dhe që pritet të dhurojë spektakël në fushën e lojës.



