Dy ndeshje miqësore do të zhvillojë kombëtarja e futbollit femra gjatë muajit prill. Përballë skuadrës kuqezi që drejtohet nga trajneri Armir Grima do të jenë kombëtaret e Maqedonisë së Veriut dhe të Kenias. Trajneri i vajzave kuqezi, Armir Grima ka zbardhur listën me emrat e futbollisteve të grumbulluara për këto dy takime miqësore, mes të cilave spikakasi 8 futbolliste të Vllaznisë kampione në fuqi.
Tekniku shqiptar ka grumbulluar 23 lojtare për këto dy ndeshje, me 15 prej vajzave që aktivizohen në kampionatin shqiptar, 5 prej tyre në kampionatin kosovar dhe 3 në kampionatin europian. Trajneri Grima ka rikthyer sërish në ekipin e parë A, dy lojtare si Katerina Simoni, e cila luan me ekipin e Tiranës dhe Valentina Trokën, e cila aktivizohet në skuadrën e Apolonisë, ndërsa pas grumbullimit rutinë në Ulqin, ka thirrur sërish në skuadër edhe sulmuesen Diellza Istrefaj.
Skuadra do të nisë nga e mërkura e ardhshme grumbullimin në Tiranë, teksa sfida e parë ndaj Maqedonisë së Veriut do të luhet më 7 prill në stadiumin “Elbasan Arena”, e planifikuar të nisë në ora 16:00, ndërsa ndeshja e dytë është ajo ndaj Kenias, më 11 prill, ora 16:00, po në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan.
Këto dy ndeshje miqësore janë shumë të rëndësishme dhe i vlejnë shumë teknikut Armir Grima dhe stafit të ekipit kombëtar A për të parë gjendjen reale të skuadrës, në kuadër të përgatitjeve për fushatën e Eliminatoreve të Kampionatit të ardhshëm Europian që nis në muajin shtator