Paraditja e së shtunës së 25 shtatorit 2021 afron një derbi shumë interesant në futbollin e moshave të kategorisë Superiore të moshave U-17 dhe U-19. Do të jenë dy ndeshje, njëra më e bukur se tjetra në mes KF Vllaznisë dhe KF Shkodra, të cilat do të zhvillohen në fushën sportive “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës.
Të parët që do të zbresin në fushën e lojës do të jetë 17 vjeçarët, ndeshje që starton në orën 10.00. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi që luajnë si pritës vijnë në këtë ndeshje pas fitores së thellë të javës së parë në transfertë me Laçin me rezultatin 1 me 7. Me fitore e kanë mbyllur javën e parë edhe futbollistët 17 vjeçarë të Shkodrës, të cilën nën drejtimni e trajnerit Arbion Kopliku mundën në shtëpi Shkëndinë e Tiranës me rezultain 3 me 1.
Menjëherë pas ndeshjes U-17, po në fushën sportive “Reshit Rusi” rreth orës 12.00 do të dueli tjetër po aq interesant U-19, Vllaznia-Shkodra. Kuqeblutë që këtë sezon kanë në krye trajnerin Vioresin Sinani, vijnë në këtë ndeshje pas fitores 0-1 në transfertë me Laçin. Po me fitore vjen në javën e dytë të derbit shkodran të 19 vjeçarëve, vjen edhe KF Shkodra me trajner Rudi Piraniqin, të cilët mundën në Shkodër, Shkëndinë e Tiranës me rezultatin 2 me 1.
Dy përballje këto me të vertetë që kërkojnë vemendjen e duhur, jo vetëm nga ana e specialistëve të futbollit, por edhe në radhët e tifozërisë, e cila pritet të jetë e pranishme në shkallët e fushës sportive “Reshit Rusi”.