Sunday, November 24, 2024

(Video) U-21/ Prag Sllovenia, Bushi: Shkojmë për fitore, vendi i dytë në grup i arritshëm

Lexo

Kombëtarja shqiptare e 21 vjeçarëve do të zhvillojë ditën e nesërme ndeshje e parë ndaj Sllovenisë të vlefshme për kualifikueset e kampionatit europian 2023. Në prag të kësaj ndeshje të rëndësishme, trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka folur në lidhje me sfidën dhe skuadrën. Tekniku u shpreh se ekipi është në gjendje të mirë fizike dhe skuadra do të luajë ndaj Sllovenisë vetëm për të marrë tre pikët. Gjithashtu, Bushi theksoi se në këtë ndeshje kuqezinjtë do të përdorin një tjetër strategji loje dhe skuadra është mjaft e karikuar për të fituar sfidën ndaj sllovenëve. Trajneri beson se kjo skuadër mund ta arrijë vendin e dytë në grup, teksa foli edhe për rikthimin e Muçit në ekipsi dhe rritjen e cilësisë së futbollistëve shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

Gjendja fizike e skuadrës – Gjendja është shumë e mirë. Fizikisht thuajse janë të gjithë mirë, me një përjashtim të Asllanit që ka marrë një goditje dje, por është diçka e lehtë. Kjo është diçka pozitive sepse si asnjëherë më parë grupi është i plotë. Na është afruar edhe Muçi ditën e fundit, për këtë dua të falënderoj edhe trajnerin Reja, i cili na dha mundësinë që të kemi edhe Muçin dhe të kemi sa më shumë alternativa për ndeshjet me Slloveninë dhe Kosovën. Jemi të fokusuar shumë te kjo ndeshje sepse është shumë e rëndësishme për ne, por gjithsesi është një ndeshje futbolli dhe i ka të treja rezultatet brenda, pavarësisht se ne do të shkojmë për ta fituar atë ndeshje pasi jemi më të mirë se Sllovenia dhe e kemi treguar edhe këtu në Elbasan. Por jemi më të mirë atëherë kur ne bëjmë më të mirën, kur japim maksimumin në fushë. Mendojmë që e di çdokush nga lojtarët se sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne dhe se sa shumë duhet të luftohet për ta fituar, sepse nëse fitojmë, atëherë mund të kemi mundësi më shumë për t’iu afruar vendit të dytë.

Sllovenia? – I kemi dhënë rëndësi këtij kundërshtari si të gjithë ekipet e tjera, pavarësisht se kemi ndryshuar diçka në përbërjen tonë, taktikën dhe strategjinë tonë, dhe këtë do ta shohim ditën e ndeshjes. Shpresoj që lojtarët do ta bëjnë shumë mirë, e kanë bërë shumë mirë në stërvitje. Jemi përqëndruar sidomos te kundërsulmi dhe do të mbrohemi shumë mirë, por në momente të caktuara duhet të mbajmë dhe topin dhe të kemi sa më pak lodhje. Mendoj që ekipi është përgjigjur mirë këto 2-3 ditë dhe kam shumë besim pasi i shoh shumë të karikuar dhe në çdo gjë që bëjmë, ata janë shumë të saktë dhe e kuptojnë shumë mirë strategjinë që duhet të ndjekin për këtë ndeshje. Kemi bërë analiza, jemi stërvitur në kushte shumë të mira, sot kemi edhe stërvitjen e ditës së ndeshjes në stadium dhe mendoj që do të shkojë çdo gjë mirë.

Lëvizjet në skuadër – Përveç Carës që ka qenë i dëmtuar dhe na prish punë, pasi ka qenë pjesë e ekipit për kaq kohë, por gjithsesi, me ardhjen e Muçit bëhemi më të fortë. Megjithëse e kishim në ndeshjen me Slloveninë, por duke qenë se e mori ekipi A dhe e ktheu, është një plus për ne. Është një lojtar i rëndësishëm, ka qenë determinant për ne në shumë ndeshje. Kemi shumë alternativa këtë radhë. Arapaj është një lojtar shumë i mirë, ka luajtur thuajse të gjitha ndeshjet në formacion, një lojtar që lufton shumë. E ka dhe pasin për ta marrë topin nga mbrojtja, për ta nxjerrë në sulm, por edhe pasimin për gol e ka shumë të mirë. Besoj se do t’i jepet mundësia në këto dy ndeshje që të aktivizohet dhe të japë maksimumin. Mendoj se çdo lojtar për ne është i rëndësishëm. Këtu është ekip Kombëtar dhe secili nga ne është i rëndësishëm dhe duhet të ndihet me rëndësi pasi dikujt mund t’i vijë mundësia vetëm 1 minutë dhe ta shpëtojë Shqipërinë për një kualifikim në vend të dytë ose në vend të parë. Prandaj të gjithë lojtarët janë shumë të rëndësishëm për ne.

Objektivat në këto eliminatore? – Kam shumë besim që këtë edicion do të bëjmë shumë mirë, po kjo varet e gjitha nga ndeshja me Slloveninë. Ne kemi 9 pikë dhe mendoj se çfarëdo të ndodhë me Slloveninë, ne prapë do të jemi në lojë, por nuk besoj se do të ndodhë humbja. Unë kam shumë besim se ne do të fitojmë dhe do të jemi shumë pranë vendit të dytë. E thashë edhe në konferencën e parë për shtyp që nëse ne do të fitojmë, do të kemi më pas mundësi të marrim edhe lojtarë nga ekipi i parë, pasi nuk ka ndeshje në muajin mars, ku do të luajmë ndaj Çekisë dhe Anglisë dhe do të kemi më shumë alternativa, si Kumbulla, Broja. Por gjithsesi, fokusi ynë është te kjo ndeshje me Slloveninë që duhet ta fitojmë patjetër. I kërkoj lojtarëve që të japin maksimumin, pasi në futboll janë të treja rezultatet. Por kur jep maksimumin, pranohet çdo lloj rezultati. Në të kundërt është problem.

Rritja e numrit të lojtarëve dhe alternativave në skuadër – Mendoj që Shqipëria kohët e fundit ka bërë shumë përpara në futboll, si me klubet, që kanë kaluar në kupat e Europës disa ture, jo vetëm këtë vit por edhe në vitet e tjera, por gjithashtu edhe Kombëtarja që nuk diskutohet që ka bërë shumë mirë. Janë rritur lojtarët shqiptarë, është rritur niveli i trajnerëve, është rritur infrastruktura në Shqipëri dhe kjo i bën mirë futbollit. Ekipi A ka një moshë mesatare shumë të re dhe kjo tregon që është punuar shumë si brenda vendit, ashtu edhe jashtë vendit, me skautet që Federata ka në Europë, të cilët bëjnë punën e tyre që të afrojnë sa më shumë lojtarë dhe të kemi sa më shumë alternativa. Po të shikojmë edhe ekipet zinxhirë të moshave kanë shumë lojtarë cilësorë dhe unë mendoj se Shqipëria tani ka hyrë në një rrugë që nuk do të ketë më probleme në të ardhmen për lojtarë, siç ka pasur dikur, kur mungonin dy lojtarë dhe nuk kishin me kë t’i zëvendësonin dhe kjo është falë punës së mirë të FSHF-së.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img