Vllaznia bën detyrën, fiton ndaj Skënderbeut, kap Kukësin e vendit të dytë, presion kryesueses Tirana

Vllaznia-Skënderbeu 2-0(Shënues: Ardit Hoxhaj 23’, Ante Aralica 88’)

E diele, 12 dhjetor 2021, ora 16.45, stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër

Vllaznia (4-2-3-1): Zogovic, Kruja, Adili, Fallou, Hakaj, Heric, Jonuzi, Hoxhaj Da Silva, Latifi, Djurdjevic.
Trajner: Thomas Brdaric

Skënderbeu (5-3-2): Rexhepi, Zguro, Bajrami, Sadriu, Vitija, Meksi, Moraes, Mara, Jean Victor, Berisha, Mensah.
Trajner: Migen Memelli

Gjyqtar: Erjon Bastari VAR: Kridens Meta

Kuqeblutë vazhdojnë serinë e fitoreve teksa mbrëmjen e së dieles mundën në stadiumin “Loro Boriçi”, Skënderbeun e Korçës me rezultatin 2 me 0. Ndonëse, jo me atë shkëlqimin dhe ritmin e ndeshjes së mesjavës me Partizanin, të cilën e fituan me rezultatin 1-0, e rëndësishme për kampin kuqeblu është marrja e tre pikëve. Tre pikë shumë të rëndësishme, të cilat e barazojnë për momentin me Kukësin e vendit të dytë, dhe në të njëjtën kohë i bëjnë presion Tiranës kryesuese.

Pjesa e parë

Për t’u theksuar është se formacioni i Brdariç vinte me dy mungesa të rëndësishme në formacion, kapitenin Gurishta dhe mesfushorin Krymi, që të dy të skualifikuar me karton, i pari me katër të verdha dhe i dyti me të kuqe.

Ishte kjo arsyeja që gjermano-kroati i pankinës kuqeblu vinte me ndryshime në formacion e parë. Dhe, sa herë që ka problem me mungesat në fushë të Gurishtës, alternativa është gati. Bëhet fjalë për mesfushorin Kruja që për nevoja të skuadrës bën edhe mbrojtësin e djathtë. Ndërkohë që mungesën e Krymit në mesfushë, Brdariç e ka zëvendësuar me boshnjakun Heriç, i cili u aktivizua edhe në pjesën e dytë të ndeshjes së kaluar.

Sa i përket fushës së lojës, përgjithësisht duhet thënë u pa një nivel nën mesatar, pa ritmin e duhur dhe e mocionet që tifozëria shkodrane është mësuar t’ia dhurojë skuadra e tyre e zemrës. Megjithatë, ajo çfar ka rëndësi, goli ka ardhur në minutën e 23-të pas një ngulmimi në zonë, fillimisht me Krujën dhe më pas me Ardit Hoxhaj që e shtyn topin në rrjetë. 1 me 0 për Vllazninë, rezultat që megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave për minutat në vazhdim, nuk ndryshon duke e mbyllur pjesën e parë në favor të kuqebluve.

Pjesa e dytë

45 minutat e dyta janë fillimisht fotokopje e së së parës, ndërkohë në vijim shikohet një Skënderbe më energjik dhe më kërkues në fushën  e lojës. Të orientuar nga trajneri Migen Memelli, korçarët nisin të ushtrojnë presion në portën e Zogoviç, por edhe pse ka në dispozicion disa momente të volitshme, nuk arrin të gjejë rrugën e rrjetës.

E ndërsa, Skënderbeu nxiton për të kërkuar golin e barazimit, lëvizjet në pankinë të trajnerit Brdariç japin rezultatin e duhur. Aralica, Mustedanagiç, Çoba dhe Fangaj, janë të aktivizuarit në pjesën e dytë, ku pikërisht dy prej tyre prodhuan golin e dytë për Vllazninë, që vjen në momentin më të duhur për kuqeblutë.

Është minuta e 88-të, ku pas një shpërthimi të Çobës në fundoren e majtë, topi dhënë nga ana e tij për Aralicën fare pranë portjerit Rexhepi shkon në rrjetë. 2 me 0 për Vllazninë, ku edhe pse ka 5 minuta shtesë, nuk ka më ndryshim të shifrave. Vllaznia është fituese e tre pikëve shumë të rëndësishme duke barazuar përkohësisht Kukësin e vendit të dytë dhe  paralajmëruar Tiranën kryesuese. Ndërkohë, për korçarët, humbja në Shkodër është një telash më shumë për situatën problematike për qëndrimin në Superiore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu