Krenar Shoraj dhe Daniel Godelli, të dy në Baterinë B të peshës deri në 89 kilogram, kanë mbyllur konkurrimin e peshëngritjes shqiptare në Kampionatin Botëror të të rriturve, i cili është duke u zhvilluar në Tashkent të Uzbekistanit. Godelli e ka nisur mirë shkëputjen, teksa në provën e parë ka ngritur 145 kilogram. Mirëpo më pas nuk ka mundur të realizojë 150 kilogram në provën e dytë dhe 151 kilogram në provën e tretë e si i tillë në shkëputje është renditur i shtati mes nëntë konkurentëve në Baterinë B.
Krenar Shoraj e ka nisur stilin e shkëputjes aty ku e la Godelli. Pra realizon në provën e parë 151 kilogram. Më pas në të dytën është përsëri mirë me 157 kilogram, por nuk mundet në të tretën me 163 kilogram. Dhe shkëputjen e mbyll në vend të tretë. Në shtytje Godelli ka realizuar vetëm provën e parë, teksa ka ngritur 175 kilogram dhe më pas është tërhequr, kjo dhe për shkak të dëmtimit, duke u renditur në këtë stil në vendin e 8-të. Dhe me dygarëshin 320 kilogram është i teti në Baterinë B.
Shoraj starton mirë me 190 kilogram. Mirëpo në dy tentativa 194 kilogram nuk ia del dot, ndërsa në stilin e shtytjes është përsëri i treti, kurse në dygarësh me 346 kilogram renditet i dyti në Baterinë B të peshës 89 kilogram. Për rrjedhojë gjithçka brenda pritshmërive për Shorajn e Godellin, kurse Botërori i Uzbekistanit për peshëngritjen shqiptare përmblidhet me tre medaljet e Briken Caljes, ari në shkëputje dhe argjend në shtytje e dygarësh në peshën 73 kilogram.
Pa harruar vendin e katërt në shkëputje të Evangjelia Velit në peshën 55 kilogram, apo vendin e katërt në dygarësh në peshën 73 kilogram të Erkand Qerimajt.