Kukësi-Vllaznia 3-0(Shënues: Veriu, Xhambazi, Tabaku)
Formacioni i Vllaznisë: Shkoza, Moleci, Leka, Shimaj, Pusi, Ivziku, Dulaj, Peku, Hoxha, Deda dhe Osmani. Trajner Dean Sibson
Me fitoret e thella të dy javëve të para të vitit 2022 realizuar ndaj Turbinës dhe Apolonisë, përkatësisht 4 dhe 5 me 0, Vllaznia U-21 e drejtuar nga trajneri Dean Sibson dhe kolegu i tij Ergi Borshi, dha përshtypjen se do të ishte një skuadër e frikshme për kundërshtarët e fazës së dytë.
Por, përballja e sotme me Kukësin U-21 paraqiti një Vllazni ndryshe. Jo vetëm që nuk vijoi serinë e fitoreve, por duke pësuar tyre gola në portën e saj, skuadra shkodrane u largua nga Tirana ku u zhvillua ndeshja në fjalë me humbjen 3-0.
Referuar kronikës së lojës, skuadra kuksiane e drejtuar nga trajneri Rrahman Hallaçi e ka mbyllur pjesën e parë në avantazh të dy golave. Goli i parë për kuksianët u shënua në minutën e 11-të me autor Veriun dhe në limit të kësaj pjese është Xhambazi që shënon golin e dytë për skuadrën e tij.
Me avantazhin 2-0 të Kukësit, skuadrat shkojë në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve. Pas rikthimit në fushën e lojës, pritej një Vllazni tjetër, por kuqeblutë, megjithë disa përpjekjeve spontane, janë larg imazhit të ndeshjeve të mëparshme.
Jo vetem që nuk arrijnë të shkurtojnë diferencen e golave, por ndërkohë pësojnë edhe të tretin me autor Tabakun duke bërë që e gjithë ndeshja të përfundojë me rezultatin 3 me 0 në favor të Kukësit.
Krahas të tjerave, humbjen 3-0 të pësuar sot në transfertë me Kukësin, në kampin kuqeblu kërkojnë ta lidhin edhe me mungesen e ndonjë futbollisti të ekipit të parë ku stafi teknik nuk i ka lejuar të udhëtojnë me skuadrën e 21 vjeçarëve. Por, realisht, parë në aspektin professional, një humbje dhe paraqitje e tillë zhgënjyese e Vllaznisë U-21 nuk ka pse të justifikohet me argumentin e mungesës së lojtarëve të ekipit të parë, sepse kontingjenti i KF Vllaznia ka bollek lojtarësh cilësorë të kësaj kategorie moshash, të cilët i kanë kapacitetet të bëjnë diferencen me skuadrat e tjera.
Ndaj, kjo humbje me Kukësin, e cila rrezikon seriozisht edhe pozitën kryesuese të Vllaznisë, duhet të shoqërohet me një analizë të hollësishme të stafit teknik në mënyrë që në takimet e ardhshme, skuadra të jetë në fushën e lojës me një mobilizim dhe grintë tjetër për t’u rikthyer tek fitorja tre pikëshe.