Me largimin e trajnerit Brdariç, presidenca kuqeblu bëri lëvizjet e saj duke i besuar detyrën e trajnerit të pare, zv.trajnerit Elvis Plori, ndërkohë që në pozicionin e zv.trajnerit të Vllaznisë vendosi Auron Milotin.
Për mjedisin kuqeblu dhe më gjërë, emri i Auron Milotit nuk është i panjohur. Këtë sezon futbollistik ai mban detyrën e skautit e KF Vllaznia, ndërkohë që më herët ka kaluar një përvojë të gjatë si futbollist tek Vllaznia, Tirana, dhe ekipi kombëtar. Ndërkohë, pas largimit nga Shqipëria, Miloti ishte pjesë e futbollit austriak, fillimisht si futbollist dhe më pas si trajner në ekipet e moshave. Në intervistën e dhënë për Veriu Sport, Miloti flet për emocionet e marrjes së detyrës, largimin e Brdariç, bashkëpunimin që do të ketë me trajnerin e parë, Elvis Plori, si dhe besimin dhe optiumizmin që ai ka për ta rikthyer Vllazninë tek fitoret dhe realizimi i objektivit, Europë.
Miloti si e pritët ftesën për të qenë në drejtimin e stafit teknik?
Të them të drejtën ishte si një surprizë për mua, nuk isha as në Shqipëri në atë kohë, por gjithmonë kur të thërret Vllaznia duhet të jesh gjithmonë gati. Nuk mund t’i thuash “jo” kurre asaj”.
Në fakt Miloti, ka shumë kohë që lakohet që të jetë trajner i parë i Vllaznisë.
Ka qenë dëshira e çdo shkodrani që të jesh trajner i parë, çdo sportisti që ka luajtur me Vllazninë. Është një emocion, një krenari të jesh pjesë e stafit të Vllaznisë. Mendoj që me Elvisin si trajner do të bëjmë më të mirën për këto ndeshjet e fundit që kane mbetur.
Çfarë ka ndryshuar nga ajo periudhe kur iu është ofruar drejtimi i skuadrës me këtë moment që pranuat të jeni bashkëdrejtues me kolegun tuaj Elvis Plori?
Nuk është ndonjë ndryshim i madh, por ne do përpiqemi që ta motivojmë ekipin në këto ndeshjet e fundit që të japin 100% e tyre në çdo ndeshje.
Do të ishte me intgeres një koment i juaji për largimin e trajnerit Thomas Brdariç.
Në gjykimin tim, Brdariç ka bërë një punë shumë të mirë, por kjo është puna e jonë, ne shkojmë, vijmë, po ashtu edhe lojtarët, shkojnë-vijnë, por Vllaznia mbetet Vllazni, Shkodra mbet Shkodër. Ne punojmë të gjithë, edhe rezultatet, janë të gjitha bashkë, por ne punojmë për Shkodrën, për Vllanzinë, kshtu që, si trajneri dhe lojtarët, stafi dhe të gjithë, ne shkojmë dhe vijmë, ne jemi vetëm punëtorë.
Keni filluar bashkëpunimin me kolegun tuaj Elvis Plori, si ju duket fillimi?
Nuk është e lehtë, është e vështirë, por gjërat e vështira i kemi pasë gjithmonë qejf. Natyrisht që, Elvisi e njeh mjaft mirë ekipin, po ashtu edhe unë e njoh pak, por ju siguroj se me Plorin do të bëjmë një punë të mirë. Kemi marrë përsipër një detyrë shumë të vështirë, nuk është aspak e lehte të marrësh drejtimin e skuadres në këto momente.
Mendoni që do ta çoni më tej realizimin e ëndrrës së shkodranëve?
Mendoj dhe shpresoj që do ecim më tej. Elvisi e njeh skuadrën, njeh mentalitetin, njeh dhe sportistët. Unë do të jem një ndihmesë pranë tij dhe do të japim maksimumin për të realizuar objektivat tona.
E merrni këtë detyrë në një moment të vështirë. Vllaznia është e përfshirë në një konfuzion dhe është larguar disi nga objektivat. Do të jetë e vështirë për ju?
Nuk mendoj që është aq e vështirë, kjo gjë është pjesë e sportit, pjesë e futbollit. Vështirësitë janë gjithmonë të bukura, ato na emocionojnë më shumë. E theksoj që do të përpiqemi maksimalisht si staf që ndeshjet e fundit t’i realizojmë me sukses.
Menjëherë është prova e vështirë, transferta në Rogozhinë me Egnatian, skuadër e cila kërkon mbijetesën, ndërkohë Vllaznia kërkon pikët e Europës.
Jo vetëm me Egnatian, por kemi 11 ndeshje të vështira. Shpresojmë që të rikthehen sa më shpejt disa lojtarë të dëmtuar dhe me kartona dhe gjithë së bashku të japim maksimumin.
Ku e shikoni më afër Europën, në Kupë apo Kampionat?
Ne do përpiqemi si në Kupë si në Kampionat që të realizojmë objetvikin e klubit dhe të skuadrës. E shohim të mundur tek të dyja.
Miloti faleminderit dhe suksese!
Faleminderit ju!
Gaspër MARKU