Monday, November 25, 2024

(Intervista) Gurishta, kritik me kolegët e tij kuqeblu për humbjen me Tiranën, optimist për rikthimin tek rezultatet pozitive

Lexo

Për arsye dëmtimi, Erdenis Gurishta, nuk ishte i pranishëm në sfidën Vllaznia-Tiranë, takim që u mbyll me fitoren e bardhebluve,  1-2. Në intervistën dhënë gazetarit shkodran të “Panorama Sport”, Admir Uruçi, kapiteni i kuqebluve, analizon situatën në kampin shkodran, largimin e teknikut Tomas Brdariç, si dhe besimin që Vllanzia do të rikthehet tek rezultatet pozitive.

Erdenis, munguat ndaj Tiranës dhe ajo humbje në “Loro Boriçi” përkoi edhe me largimin e trajnerit Tomas Brdariç. Për çfarë ju vjen më shumë keq në këtë situatë?

Sinqerisht ishte një ndeshje që doja me shpirt të isha në fushë, por ishte e pamundur për shkak të dëmtimit që kisha. Nuk është turp që të të mundë Tirana, pasi me plot meritë mban vendin e parë. Megjithatë, pjesa e dytë e jona ishte për turp. Derbi i Shqipërisë, një ndeshje që të gjithë e presin me padurim dhe të bësh një paraqitje të tillë në pjesën e dytë, nuk e di çfarë të them më tepër. Lojtarët duhet ta kuptojnë se çfarë fanelle kanë veshur dhe jo të ecin në fushë.

Plot 20 muaj nën drejtimin e Brdariç, por tashmë ai nuk do të jetë më nën drejtimin e ekipit…

Sigurisht që të vjen keq një largim i tillë. Ishte një vit e gjysmë me të mirat dhe të këqijat e veta, por në përgjithësi ishte ecuri pozitive e jona dhe merita kryesore i takon trajnerit. Megjithatë, janë të tjerë që vendosin për këtë dhe sigurisht shikojnë për më mirë. Brdariç riktheu atë që kishte munguar në Shkodër dhe jam i sigurt që kudo që do të shkojë, do të ketë suksese.

Ishte ky momenti për të bërë këtë lëvizje?

Jemi në një fazë delikate të kampionatit, ku çdo ndeshje ka vështirësitë e veta dhe gjithsecili prej nesh duhet të reflektojë për të bërë kthesën. Presidenca e ka menduar një lëvizje të tillë dhe uroj që çdo gjë të na ecë mbarë në vazhdim.

Trajner do të jetë Elvis Plori bashkë me ndihmën e Auron Milotit…

Profesor Plori ka punuar një vit e gjysmë me trajnerin Brdariç. E njeh shumë mirë skuadrën dhe sigurisht që është zgjedhja e duhur.

A ka probleme të brendshme në skuadër që mund të kenë ndikuar te kjo ecuri?

Jo, absolutisht që s’ka probleme të brendshme. Kemi pasur mungesë rezultatesh, ndërsa vonesat e rrogave nuk kanë dhënë asnjë ndikim te ne.

Presidenti Xhaferi thotë se vetëm Kupat e Europës shpëtojnë sezonin e Vllaznisë. Mendoni se do të arrihet një gjë e tillë?

Minimumi i objektivit tonë është pjesëmarrja në kompeticionet europiane. Ne duhet të luftojmë me mish e me shpirt që të arrijmë të jemi një prej katër skuadrave shqiptare që do të jetë në Europë.

Ju vetë e mendonit se Vllaznia nuk do të ishte deri në fund në luftën për titull dhe Tirana të shkëputej kaq shumë?

Nuk e kisha menduar kurrë këtë shkëputje, por nuk mund ta kthejmë kohën pas dhe të ndryshojmë gjërat. Duhet të marrim përgjegjësi dhe të realizojmë objektivin minimal.

Si është gjendja juaj, kur do të jeni i gatshëm për të luajtur?

Unë jam në luftë me kohën që të jem i gatshëm më 30 mars për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës me Partizanin.

Të shtunën luani kundër Egnatias, çfarë ndeshjeje prisni?

Duhet patjetër të rikthehemi te fitorja dhe mos ta ndërlikojmë situatën. Shpresoj ta bëjmë një gjë të tillë.

Admir URUÇI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img