Vetëm dy ditë pas zyrtarizimit të tij në krye të FSHF-së me një mandate të gjashtë drejtues, Armand Duka është rikthyer në betejën me drejtësinë. Në datën 17 mars ishte caktuar gjykimi në Apel për ankimimin e presidentit të FSHF-së për masën e pezullimit. Por avokati i Dukës nuk ishte dakord me përbërjen e trupit gjykues të drejtuar nga Genti Shala dhe kërkoi kohë të paraqesë me shkrim kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit.
Në këtë mënyrë, për ti dhënë mundësinë mbrojtësit që të paraqesë kërkesën në formën e kërkuar nga ligji, séance gjyqësore u shty për në datën 18/3/2022, ora 10:00. Momentalisht, Duka dhe sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku po hetohen nga Prokuroria për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash.
Organi i akuzës i ka përfshirë dy drejtuesit e lartë në hetimet që po zhvillohen për Asamblenë e 24 janarit për Shoqatën Rajonale të Tiranës ku dyshohet se janë falsifikuar dokumentat në mënyrë që disa nga shoqata të përfaqësoheshin me më shumë se një delegate.
Sipas prokurorisë, shumë prej shoqatave u janë shtuar fiktivisht lojtarë për të rritur në këtë mënyrë edhe numrin e delegatëve, pasi për çdo 100 lojtarë të regjistruar një shoqatë mund të merte pjesë në Asamblenë Rajonale me një delegate shtesë.
Pretendimi i kryebashkiakut Erjon Veliaj, i cili ka bërë padinë në cilësinë e aksionerit të KF Tirana është rritja e parregullt e numrit të delegatëve që votuan më pas në favor të Krenar Alimehmetit.