Boksierja e kombëtares shqiptare, shkodrania, Elsedita Selaj është ngjitur pasditen e së premtes në ringun e Kampionatit Europian të boksit për U-22 që po zhvillohet në qytetin Porec të Kroacisë.
Selaj, e cila shoqërohet nga trajneri i saj, Jetmir Kuqi ka konkuruar në peshën deri në 75 kg dhe ka pasur përballë boksieren e kombëtares së Polonisë, Barbara Marcinkowska. Dueli në fjalë është zhvilluar me një luftë të fortë sportive, ku të dyja boksieret kishin iniciativë për veprime sulmuese.
Megjithatë, pas tre raundesh thuajse të barabarta, gjyqtaria i ka dhënë fitoren me një diference fare të vogël pikësh kampiones polake, Barbara Marcinkowska. Edhe pse është larguar nga ringu me humbje, me veprimet e saj teknike në ring, boksierja e talentuar shkodrane ka marrë vlerësime shumë pozitive nga organizatorët duke dëshmuar për një perspektive të saj të padiskutueshme në ringun europian dhe më gjërë.
Tashmë, shpresat e Shqipërisë për të fituar një medalje në Europianin e boksit për U-22 që po zhvillohet në Kroaci, kanë mbetur tek boksieri tjetër shkodran Senad Drini, i cili i shoqëruar nga kryetrajneri i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare, Zef Gjoni do të boksojë në tetë më të mirët e peshës deri 71 kg, duke pasur përballë kampionin e Botës me të rriturit nga Ukraina.