Partizani e kthen në festë ndeshjen e Elbasan Arenas ndaj Laçit, me të kuqtë të cilët fituan me rezultatin 2-1. Kryqytetasit iu gëzuan golave të Bitrit dhe Skukës, ndërsa për kurbinasit nuk mjaftoi realizimi i Adeleke.
Sa i takon pjesës së parë, Partizani i bëri të qarta synimet për të marrë maksimumin menjëherë teksa në minutën e nëntë, Sherif Kallaku lëviz me klas dhe godet nga distanca. Por, goditja e mesfushorit devijohet në këndore. Por, një minutë më pas, të kuqtë festojnë golin e avantazhit pasi Valentino Murataj harkon mirë në zonë dhe aty me kokë, Eneo Bitri mposht portierin Dajsinani. Dhjetë minuta më pas, sërish kryeqtetasit pranë golit, këtë herë me Skukën i cili godet bukur, por jo më pak e bukur ishte edhe pritja e Dajsinanit.
Ndërkohë, në të 23-tën, Laçi reagoi dhe pas një kombinimi mes Mazrekajt dhe Guindos, ky i fundit godet por pret Hoxha ndërsa në vazhdimin e aksionit, Velija nuk ka shënjestrën e duhur për të gjetur kuadratin. Në fund, pjesa e parë mbyllet me një pretendim të kurbinasve për penallti pas një ndërhyrje të Belicës ndaj Roganovic. Megjithatë, arbitri Cjapi, por edhe VAR ishin në të njëjtën linjë, lojë e rregullt.
Me rezultatin 1-0 u mbyllën 45 minutat e para, ndërsa në fraksionin e dytë, kurbinasit nuk humbën kohë por barazuan shifrat në minutën e 47, falë Adeleke i cili sapo ishte aktivizuar nga trajneri Mirel Josa. Gjithsesi, reagimi i Partizanit erdhi pas 11-minutave teksa Skuka i merr kohën në zonë Velkoskit dhe penallti për të kuqtë. Nga pika e bardhë, sulmuesi nuk gabon duke dërguar topin në një krah dhe Dajsinanin në krahun tjetër.
Laçi u mundua të gjente sërish reagimin ndërsa në të 75-tën festa e tyre u anulua, pasi goli i Guindos ishte i pavlefshëm për një pozicion të parregullt të mëparshëm të Adelekes. Ndërkaq, në të 90-tën, Skuka lëviz bukur brenda zonës së kurbinasve, por në fund u ndal dhe fitoi vetëm një këndore.
Pas kësaj fitoreje, Partizani lë pas një periudhë prej tre ndeshjesh pa fitore, ndërsa shkon në kuotën e 38 pikëve teksa mban vendin e pestë në klasifikim, ndërsa nga ana tjetërm Laçi është në krizë rezultatesh dhe koleksionon humbjen e dytë radhazi ndërsa mban vendin e dytë me 46 pikë.