Saturday, November 23, 2024

(Video) Cungu & Behari tregojnë punën që po bëhet me talentet e Kombëtareve U-19 & U-18

Lexo

Skuadrat kombëtare U-18 dhe U-19 zhvilluan këtë të mërkurë një ndeshje miqësore brenda familjes, me qëllim testimin e lojtarëve që aktivizohen në kampionatin shqiptar, por edhe atë të huaj. Trajnerët e dy ekipeve kombëtare, Ardi Behari dhe Armando Cungu kishin ftuar 40 futbollistë të datëlindjes 2003 dhe 2004, ku patën mundësi t’i testonin dhe të shikonin nga afër gjendjen e tyre.

Në një prononcim për fshf.org, të dy teknikët shqiptarë u shprehën të kënaqur për prezantimin e lojtarëve të grumbulluar në këtë miqësore.

Cungu theksoi se fokusi i kësaj ndeshjeje ishte për të vëzhguar nga afër elementët e rinj dhe për t’i dhënë atyre mundësinë të tregojnë veten e tyre në të tilla aktivitete, që i shërben stafit kuqezi të përgatisë grupin për eliminatoret e europianit në shtator.

“Ishte një seleksionim në vazhdën e seleksionimeve  që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe për të parë gjendjen e lojtarëve, sikurse për të vëzhguar edhe lojtarë të rinj të cilët gjithmonë kanë pasur hapësira tek ekipi ynë për t’i vëzhguar dhe për t’i parë.

Besoj se në përgjithësi duhet të them fjalë pozitive. Të paktën pjesa më e madhe e lojtarëve janë të njohur prej nesh. I thërrasim për të parë gjendjen aktuale të tyre. Ishim të fokusuar më tepër te thirrja e lojtarëve të rinj, të cilët nuk i kishim pasur më herët dhe dy ardhjeve nga jashtë, nga Genoa dhe Gjermania. Ky ishte më tepër fokusi ynë dhe për të nxjerrë në finale 20-shen më të mirë që kërkohet për t’u përballur. Në përgjithësi, këto seleksionime janë shumë pozitive sepse na japin mundësi për të parë e vëzhguar  dhe për të bërë përzgjedhjet e duhura. Ky është i disati seleksionim për këtë vit, kemi bërë edhe grumbullime tre ditore për të pasur mundësi për stërvitje me lojtarët dhe për të krijuar konceptet dhe idetë për çfarë kërkojmë ne, sikurse edhe shfrytëzimi i datave të UEFA-s, si në mars me Kosovën, që na shërbejnë më tepër për të ftuar lojtarë që luajnë jashtë kampionatit shqiptar. Po bëhet një punë e mirë, ashtu sikurse vitin e kaluar që na shërben për të gjetur elementet e duhur dhe për të forcuar grupin dhe për të qenë të gatshëm për shtatorin që kemi edhe Eliminatoret e Europianit. Kemi një grup relativisht të fortë dhe duhet të jemi të gatshëm dhe të tregohemi dinjitozë” – tha Armando Cungu për fshf.org.

Ardi Behari – Ndërkaq, trajneri i ekipit kombëtar U-18, Ardi Behari vlerësoi elementët e skuadrës së tij, ndërsa theksoi se stafet kuqezi kanë si punë kryesore evidentimin dhe seleksionimin e talenteve. Behari vlerësoi gjithashtu edhe punën e mirë të Federatës dhe vëmendjen që i jep zhvillimit të futbollit të ekipeve të moshave në Shqipëri, duke përmendur edhe fitimin e turneut të UEFA Development për meshkuj U-16 nga Shqipëria e Ervin Bulkut. Ai theksoi se stafi kuqezi i ekipit U-18 do të vijojë me punën në mënyrë intensive për të arritur rezultate të mira dhe të larta.

“Impenjimi nuk mungon asnjëherë për vetë moshën, por edhe për vetë specifikën që ka. Është ekip kombëtar dhe impenjimi nuk vihet asnjëherë në dyshim. Kjo datëlindje është e mbartur nga ekipi U-17 dhe është një ekip i konsoliduar, me elementë shumë cilësorë, që kanë qenë gjithë kohës në monitorim dhe që kanë ardhur që nga 2015 dhe janë deri sot një grup i monitoruar që ka fituar trofe kombëtarë.

Puna jonë konsiston në seleksionimin e të gjithë elementëve që për arsye moshe, për arsye të zhvillimit të vonshëm ndoshta ka mbetur jashtë monitorimit ose nuk ka shprehur dot aftësitë e tij maksimale dhe qëllimi i kësaj skuadre është pikërisht ky, evidentimi i këtyre elementëve sepse specifika e moshës është që dikush vjen më shpejt, dikush vjen më vonë në formë sportive dhe plotësojnë të gjitha cilësitë e një sportisti të moshave.

Në kuadër të seleksionimeve që janë bërë, mendoj se kemi përzgjedhur elementin më cilësor, një nga rezultatet më “flagrante” në të mirë të punës së Federatës është fitimi i turneut të U-16, që ka ardhur si pasojë e një seleksionimi të gjatë, që te rajonalet e zonave dhe deri tek ekipi kombëtar i moshës përkatëse. Them se do të vazhdojmë me këtë ritëm, edhe për vazhdimësinë. Shikoj që ka dëshirë të jashtëzakonshme të fëmijëve, ka cilësi të mirë, por duhet të kemi gjithmonë në qendër të vëmendjes lojtarët që luajnë në kampionatin shqiptar dhe atë jashtë, por sidomos atë vendas sepse ka elementë të mirë dhe cilësorë, por për shkaqe biologjike dikush vjen më shpejt e dikush më vonë. Zotësia jonë është të gjejmë këta që janë më të vonshëm.

Ne do të vazhdojmë me intensitet seleksionimet, ndeshjet testuese dhe miqësore sepse po përgatitemi për turnetë që na presin në gusht dhe tetor për të përfaqësuar denjësisht dhe me pretendime serioze dhe maksimale. E thashë edhe më lart që “oreksi është hapur”, ambasadorët e fitimit të trofeve i kemi, na mbetet detyrë vetëm punë e fortë për të arritur rezultate sa më të larta”, – tha Behari në fjalën e tij.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img