Saturday, September 21, 2024

Analiza-Vllaznia “blen shtrenjtë dhe shet lirë”!

Lexo

“Vllaznia blen shtrenjtë dhe shet lirë”! Ky është një konstatim i sjellë si shqetësim nga Agron Kastrati, në emisionin sportiv, “Sport Show”-TV1 Channel të drejtuar nga gazetarja Silvi Kastrati.

Ish futbollisti, më pas trajner futbolli, dhe sot vëzhgues i FSHF-së, i cili në profesion është një arsimtar shumë i njohur në qytetin e Shkodrës, ka qënë shumë kritik në lidhje me menaxhimin që KF Vllaznia po i  bën elementit të ri.

Sipas tij, por edhe pjesëtarëve të tjerë të panelit, trajnerit të Veleçikut, Haris Lika dhe trajnerit të Akademisë Shpresa, Ardit Mani, gazetarit sportiv Gaspër Marku, Vllaznia duhet të jetë më e kujdesshme në trajtimin që po i  bëhet elementit të ri.

Në fokusin e tyre ishte kryesisht prania pa kriter e të huajve në gjirin e ekipit kuqeblu, ku shqetësimi qëndron tek pjesa që nuk bën diferencën me pjesën e kontigjentit shkodran, dhe që me praninë e tyre, qoftë në fushën e lojës, dhe sidomos edhe në stol, bëhen pengesë kryesore për promovimin e elementit të ri shkodran.

Në argumentin e përdorur nga drejtuesit kuqeblu, shpesh herë është thënë që nuk është gjetur momenti i duhur për t’i dhënë hapësirë promovimit të elementit të ri, sepse në plan të parë ka qënë arritja e rezultatit.

Kështu që, në momentin që flasim, Vllaznia është dy herë e humbur, sepse nga njëra anë, rezultatet kanë munguar, madje edhe ndjeshëm, dhe nga ana tjetër promovimi i elementit të ri ka qënë në kufijtë e zeros.

Për hirë të së vertetes, Akademia e Futbollit Vllaznia, vazhdon të prodhojë prej vitesh lojtarë të rinj mjaft cilësorë dhe premtues, madje të cilësuar edhe si të talentuar. Por, hapësirat e tyre në ekipin e parë vazhdojnë të jenë një problem shumë shqetësues për vetë këtë kategori futbollistësh që kanë preferuar dhe vijojnë të preferojnë të firmosin për KF Vllaznia.

E gjitha kjo ka të bëjë edhe në aspektin e marketingut, sepse burimi kryesor i të ardhurave të një klubit futbolli është përgatitja, promovimi dhe shitja e tyre në skuadrat e tjera, brenda dhe jashtë vendit. Shembulli kryesor në këtë drejtim është KF Tirana, i cili ka ditur të bëjë mjaft mirë në promovimin dhe shitjen e talenteve të klubit duke mbushur arkën e klubit me shuma të majme financiare.

Një gjë e tillë në KF Vllaznia është në kufijtë e zeros. Ndaj, edhe shqetësimi në fjalë i sjellë nga Kastrati, Lika, Mani, por edhe specialistë dhe analistë të tjerë të sportit shkodran dhe më gjërë, duhet të merret si e mirëqënë nga përfaqësusit e KF Vllaznia, trajnerët, specialistët dhe sidomos drejtuesit e presidencës. Madje, për këto të fundit, presidencen, konstatimi që “Vllaznia blen shtrenjtë dhe shet lirë”, më shumë se për këdo tjetër, rëndon tek vetë ato, sepse atyre u duhet të përballojnë shpenzime jo të pakta për mbulimin e trajtimit të kontigjentit të huaj që kanë në ekip, dhe jo vetem në administrimin e gjithanshëm të aktivitetit të klubit.

Sezoni futbollistik, 2021-2022 është drejt fundit, dhe ndoshta për të reflektuar në këtë drejtim koha është krejt e pakët. Por, shqetësimi në fjalë, gjithnjë nëse drejtuesit kuqeblu e marrin si të mirëqënë, mund të shikohet me një sy tjetër, duke filluar nga ndërtimi i skuadrës së re dhe për periudhën në vazhdim duke pasur në konsideratë një tjetrër strategji sa i përket promovimit të elementit të ri.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img