Java e 33-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit, Abissnet Superiore, nis sot me ndeshjen e parë, duke vënë përballë dy skuadrat kryeqytetase, Partizani-Tirana. Një derbi klasik i përjetuar me emocion prej vitesh, i cili të i tillë edhe sot, me ndeshjen që do të luhet në “Elbasan Arena” duke filluar nga ora 18:45. Në prag të kësaj super sfide, dy trajnerët kundërshtarë, Dritan Mehmeti dhe Orges Shehi, kanë dhënë opinionet e tyre.
Dritan Mehmeti(Trajner i Partizanit):
Në “Elbasan Arena” ditën e shtunë do të luhet derbi i kryeqytetit, ai mes Partizanit dhe Tiranës. Një sfidë e rëndësishme për të dyja skuadrat: bardheblutë kërkojnë të festojnë titullin, ndërsa të kuqtë për të siguruar një vend në kupat e Europës. Në prag të kësaj sfide, trajneri i të kuqve, Dritan Mehmeti ka dalë në një konferencë për shtyp duke analizuar sfidën.
“Kur bëhet fjalë për derbin, është diçka e veçantë, është histori tjetër. E rëndësishme është që ta menaxhojmë ashtu siç duhet këtë sfidë dhe të arrijmë të tregojmë atë që kemi bërë kohët e fundit. Tirana ka kualitetet e saj ashtu siç mund të ketë dhe pikat e dobëta. Edhe ne kemi element cilësorë që mund t’i godasim”.
“Derbi është derbi dhe detyrat taktike kalojnë përtej. Këtu kemi lojtarë kampionë, por kemi edhe lojtarë që nuk e kanë provuar një ndeshje të tillë dhe është një miks i tillë në aspektin psikologjik, shpresojmë të fitojmë nesër”.
“Selman Stërmasi apo Elbasan Arena? Do të ishte më mirë në Selman Stërmasi, sepse aty kemi fat dhe do të ishte më mirë aty. Por autoritetet nuk morën përsipër organizimin e ndeshjes dhe kështu u detyruam të shkojmë në Elbasan Arena”.
“Shpallja e Tiranës kampione? Unë nuk merrem se çfarë mendon Tirana dhe se kur do të shpallet kampion. Ata kanë ndeshje të tjera për të dalë kampion. Është e vështirë që të parashikosh një derbi, nëse duhet të jeshë cinik apo do të jetë një lojë e hapur. Tirana i ka shfrytëzuar shumë mirë elementët që ka, sepse në situata të ndryshme i shënon golat. Te skuadra ime shikoj që vuajmë në 20 metrat e fundit, krijojmë shumë dhe shpërdorojmë shumë”.
Orges Shehi(Trajner i Tiranës):
Tirana bëhet gati për derbin me Partizanin, që do të luhet në “Elbasan Arena”, ora 18:45. Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi ka dalë në një konferencë për shtyp duke komentuar në funksion të kësaj sfide.
“Rëndësia e derbit dihet, nuk ka rëndësi se ku klasifikohen skuadrat. Të dyja skuadrat kanë dy kampionate brenda një kampionati. Është vendi i parë, por është edhe derbi, që është si një trofe. Është një ndeshje përbalë një rivali historik, do të përpiqemi të bëjmë më të mirën tonë. Ndeshjet janë shumë afër dhe mund të lënë shenjë përsa i përket aspektit fizik. Partizani është më i avantazhuar, ka 24 orë më shumë se ne për të riaftësuar lojtarët”.
“Nuk jemi të plotë për këtë sfidë, janë tri mungesa të rëndësishme, por edhe më parë kemi patur situata të tilla. Do të zbresim në fushë një formacion që të bëjë më të mirën e tij, që këto mungesa të mos peshojnë, por dihet që janë mungesa të rëndësishme”.
“Përballjet me Partizanin? Në këtë sezon kemi dy fitore dhe një barazim dhe shpresojmë që këtë ecuri ta vazhdojmë edhe nesër. Rrallë herë ka ndodhur në këtë kampionat që të pësojmë gol në ndeshje radhazi, kjo nuk është një gjë e mirë. Do punojmë në aspektin psikologjik që skuadra të mos e humbasë përqëndrimin”.
Java e 33-të e Superiores, vijon të dielen me çiftin, Laçi-Kastrioti, për t’u mbyllur me tre duelet e ditës së hënë: Teuta-Egnatia, Dinamo-Skënderbeu dhe Vllaznia-Kukësi. Dy ndeshjet e para nisin në orën 16:45, ndërsa, e treta, ajo që do të luhet në “Loro Boriçi”, nis në orën 19:45.