Ekipet kombëtare të moshave gjenden prej disa ditësh në qendrën e Koverçanos së Italisë, ku në bazë të një marrëveshje mes dy federatave të futbollit do të luhen tre miqësore. E para, ajo për kategorinë e moshës U-19 është luajtur ditën e djeshme ku kombëtarja italiane ka fituar me rezultatin 2-0.
Sot, ka qenë radha e Kombëtares U-18 sot të zbriste në fushë për miqësoren me Italinë U-18 që u luajt në qendrën e Koverçanos në vendin fqinj. Një test mjaft i vlefshëm për stafin teknik të përfaqësueses kuqezi dhe trajnerin Ardi Behari për të provuar shumë elementë të ardhur nga ekipet zinxhir dhe për t’u përballur me bashkëmoshatarët italianë.
Trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja dhe ndihmësi i tij Sergio Porrini ishin gjithashtu të pranishëm në stadiumin e Koverçanos për të ndjekur të rinjtë kuqezi në aksion në këtë miqësore luksi, ashtu siç ndoqën edhe përballjen e një dite më parë Itali U19-Shqipëri U19.
Shqipëria U-18 e nisi ndeshjen me këtë formacion: Eldi Pojana, Zylyf Muça, Ardit Nuredini, Klevis Haxhari, Elton Fikaj, Oresti Kasmollari, Ledio Tresa, Ersi Zaganjori, Samuele Kasa, Orsi Ageja, Endri Dama.
Gjatë ndeshjes tekniku Behari ka provuar vendosje të ndryshme dhe ka aktivizuar të gjithë lojtarët që kishte ftuar në këtë grumbullim. Miqësorja përfundoi me fitoren 3-0 të Italisë U-18. Kombëtarja shqiptare U-18 dhe Kombëtaren U-19 ndodheshin që prej datës 6 gusht në Itali për t’u përgatitur për miqësoret me bashkëmoshatarët e Italisë. Ky ishte i dyti vit radhazi që FSHF arriti të organizojë këtë dy miqësore me Italinë në Koverçano, duke i kthyer në traditë tashmë këto testime.
Për stafin teknik kuqezi ndeshje të tilla janë mjaft të rëndësishme dhe ndikojnë në mentalitetin e lojtarëve, teksa brezi i vitlindjes 2005 ka mjaft elementë interesantë që premtojnë shumë për të ardhmen.