Tuesday, November 26, 2024

Marçelino Preka, djaloshi që vazhdon traditën e familjeve sportive, Preka-Bregu!

Lexo

Është vetëm 19 vjeç, por falë talentit të padiskutueshëm që disponon, Marçelino Preka ka arritur jo pak në karrieren e tij sportive. Që nga fillimet e suksessme me ekipet zinxhir të KF Shkodra, spikatja në ekipet kombëtare të moshave, kalimi tek Bylisi duke u shpallur kampion me 21 vjeçarët e graduar si kapiten, starti si titullar në edicionin e sivjetëm të Abissnet Superiore me Bylisin, deri tek vemendja absolute që pati në merkaton e dy viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit. Në listën e shumë kërkesave që kishte nga menaxherët e futbollit, më këmbëngulësi u tregua Partizani, që sot arriti ta bëjë të vetin me një kontratë, 4+1.

Po, kush është Marçelino Preka? Ai nuk vjen rastësisht në botën e sportit, sepse familjet Preka nga i ati Altini dhe Bregu nga e ëma, Mira, kanë një traditë të kahershme me sportin.

Altin Preka, një ish sportist në rininë e tij që në vijim, preferoi policinë duke shërbyer prej vitesh në ekipin e forcave speciale të Shkodrës dhe Tiranës, pati fatin që shoqen e jetes e zgjodhi nga një tjetër familje sportive shkodrane, madje ndër më të spikaturat, që është familja “Bregu”.

Dhe, që të dy së bashku, me bashkëshorten e tij Mira Preka(Bregu), një ish atlete dhe volejbolliste e Vllaznisë kultivuan tek fëmijët e tyre, Kladio, volejbollist kampion me Vllazninë, dhe në vijim edhe tek djali tjetër më i vogël, Marçelino futbollist.

Klaudio dhe Marçelino, nuk e kishin të vështirë të ecnin në gjurmët e familjeve sportive, sepse modelet i kishin  shumë pranë. Sidomos në familjen Bregu, ku gjyshi Dedë Bregu, një nga kollosët e mundjes shkodrane dhe asaj shqiptare, disa herë kampion si individë dhe më pas edhe si trajner, është personi i cili që në vogli i ka mbajtur përherë pranë dy nipat e tij, Klaudion dhe Marçelinon.

Por, jo vetem gjyshi, Mjeshtri i Madh në mundje, Ded Bregu, por edhe një Mjeshtre tjetër e Madhe, Vera Bregu, vajza e Dedës dhe tezja e Marçelinos, ka ndikimin e vet tek Marçelino. Duke mbërritur në majat më të larta të atletikës shqiptare, rekordi i së cilës në kërcim së gjati ka 35 vite që nuk thyhet nga asnjë sportist shqiptar, është një frymëzim jo i vogël moral për Marçelinon.

Lista e kampionëve në familjen Bregu, përfshirë edhe Paulinin, dajën e Marçelinos, ish kampion në volejboll, që më pas u largua jashtë vendit, është edhe më e gjatë.

Por, kaq mjafton për të përmendur disa nga modelet sportive mes të cilëve është rritur talenti Marçelino Preka, i cili me arritjet e deritanishme, përfshirë edhe firmosjen e sotme me një nga klubet potencialë të futbollit shqiptar, si Partizani, i ka bërë krenarë të gjithë pjesëtarët e familjeve sportive, Preka-Bregu.

Veriu Sport, në arkivat e të cilit gjenden komente, intervista dhe reportazhe të shumta rreth sukseseve të familjeve sportive, Preka-Bregu, i uron Marçelino Prekës suksese në karrieren e tij sportive duke qënë i bindur se kalimi tek Partizani, është vetëm fillimi i një suksesi, i cili parashikohet të mbërrijë në maja shumë të larta europiane dhe më tej.

Gaspër MARKU

Foto: Altin  dhe Mira Preka(Bregu), pozuar me djalin e tyre Marçelino, menjëherë pas firmës zyrtare të sotme me Partizanin

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img