Në kalendarin e javës së dytë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për femra ishte për tu zhvilluar edhe ndeshje Laçi-Kukësi. Dy skuadra këto, që realisht në përbërjet e tyre janë të përfaqësuara nga futbollistet e Atletik Club Shkodra dhe Murlami, të cilët, pas mos përfshirjes në listën e konkurimit të kampionatit, preferuan të luajnë në kampionat për ngjyrat e klubeve të Laçit dhe Kukësit.
Skuadra këto, që sot kalendari i vuri përballë njëra tjetrës. Duke qënë Laçi pritës, i përfaqësuar tërësisht nga vajzat e Atletik Shkodra, trajneri Elis Legata ka preferuar ta luajë ndeshjen në Kompleksin Sportiv Zmijani-Shkodër.
Ashtu si në javën e parë, kur u ballafaqua me Vllazninë në “Loro Boriçi”, ku u mund thellësisht 8-0, edhe ndaj Kukësit, ekipi i Laçit është përfaqësuar me uniformat e Atletk Club Shkodra.
Por, këtë radhë, delegati i Federatës Shqiptare të Futbollit duke pretenduar se ka parregullsi në rregulloren e kampionatit, ka ndërhyrë duke mos e lejuar zhvillimin e ndeshjes. Madje, më vonë, në vazhdim të analizës së ngjarjes në fjalë, siç raporton në mënyrë zyrtare klubi kuksian, ndeshja i është dhënë në tavolinë Kukësit me rezultatin 0-3.
Njoftimi zyrtar i FK Kukësit
“Klubi i Kukësit njofton, se sot ka nisur zyrtarisht rrugëtimin në Superiore ekipi i Kukësit për femra. Skuadra jonë ka pasur ndeshjen ndaj Laçit për femra, megjithatë ky takim nuk është zhvilluar.
Pas paraqitjes së dy skuadrave në fushë, delegati i ndeshjes ka vënë re parregullsi në kriterin e uniformës te skuadra e Laçit dhe ka vendosur që të mos e lejojë zhvillimin e takimit, duke njoftuar klubin tonë për fitore në tavolinë me rezultatin 3-0.
Klubi i Kukësit i ka siguruar ekipit të femrave se do të ketë mbështetjen maksimale për të arritur në rezultate pozitive.
Dikur skuadra e Kukësit për femra arrinte deri në finalen e Kupës dhe nënkampione e Shqipërisë.”
Vendimi në fjalë nuk është pritur aspak mirë nga drejtuesit e Atletik Club Shkodra, të cilët kanë reguar menjëherë duke kërkuar zgjidhjen e situatës në fjalë.