Vllaznia: Malaj, Beci, Pronina, Gjyshja, L. Kodra, Cauramchyk, Miloti Ballçiti, Erkoçi, Kniazeva. Trajner: Besnik Lisha
Korabi: Melani, Jashari, Skepi, Isufi, Myftari, Cibaku, Alia, Muça, Shehi, Gjura. Trajner: Fehmi Bulku
Gjyqtarë” T. Zguri, A. Brokaj
Kalendari i Kampionatit Kombëtar të volejbollit për javën e pestë i ka vendosur dy ekipet e Vllaznisë, për femra dhe meshkuj, të luajnë brenda. Të parat kanë qënë femrat që janë ndeshur me ekipin e Korabit të Peshkopisë.
Takimi i luajtur pasditen e së shtunës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” është shoqëruar me një superioritet të dukshëm të skuadrës shkodrane. Dëshmi e kësaj epërsie janë edhe pikët e ecurisë së takimit, ku në tre setet skuadra mysafire nuk ka arritur të mbërrijë tek pika e 20-të.
Nëse mund të thuhet se ka patur në një farë mënyre rivalitet, ai i përket vetem setit të parë, ku kryesimit të Vllaznisë dibranet i janë përgjigjur duke shkuar deri tek pika e 19-të, aty ku e kanë mbyllur përballë 25 të Vllaznisë.
Në vijim, ndërkohë që Vllaznia vjen duke e rritur edhe më shumë rritmin dhe forcën e saj goditëse në vijën sulmuese, e kundërta ndodh me Korabin, i cili duket qartë që nuk është në gjendje të përballojë nivelin e kuqebluve, të cilat me lehtësi e mbyllin edhe këtë set me fitore, por këtë radhë me shifrat 25-15.
Seti i tretë është fotokopje i të dytit, me të njëjtin ritëm në ecurinë e pikëve, gjithnjë me Vllazninë që kryeson duke fiksuar në fund të setit shifrat, 25-16. Dhe, në të njëjtën kohë, edhe fitoren e të gjithë ndeshjes me rezultatin e thellë 3-0.
Për Vllazninë e drejtuar nga trajneri Besnik Lisha dhe kolegu i tij Dorian Tafa, kjo është fitorja e dytë radhazi, pas asaj të realizuar javën e kaluar në transfertë me Lushnjen.
Më herët, në tre javët e para të kampionatit, Vllaznia pësoi tre humbje radhazi përballë Partizanit, Skënderbeut dhe Tiranës. Humbje këto që realisht e kanë zbehur disi atmosferen në lidhje me objektivin fitimit të titullit kampion.
Vllaznia-Korabi, ishte çifti i parë i javës së pestë të kampionatit të femrave, ndërkohë që tre takimet e tjera të kësaj jave, Partizani-Lushnja, Tirana-Teuta dhe Skënderbeu-Barleti, luhen sot. Në renditjen provizore, Vllaznia me një ndeshje më shumë se rivalet, renditet e pesta në tabelën e klafikimit me 6 pikë duke pasur më sipër në tabelë, Skënderbeun dhe Partizanin me nga 12 pikë, Tiranën me 9 dhe Barletin me 8-të pikë.