Tuesday, December 24, 2024

Nesër, ora 17:30, miqësorja Shqipëri-Armeni/ Trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj, në konferencë shtypi

Lexo

Shqipëria do të zhvillojë ditën e shtunë ndeshjen e katërt miqësore të muajit nëntor, që përkon edhe me sfidën e fundit për këtë vit kalendarik. Kuqezinjtë do të luajnë kundër Armenisë në stadiumin ‘Air Albania’ në ora 17:30, teksa ashtu sikurse zakonisht, trajneri Edy Reja dhe mbrojtësi Elseid Hysaj folën këtë të premte në konferencën e zakonshme për mediat.

Tekniku italian analizoi sfidën e nesërme, ndërsa thekson se ndaj Armenisë do të ketë një rrotacion në formacion dhe do të luajnë lojtarët e thirrur rishtaz në Kombëtare. Gjithashtu, ai foli edhe për të ardhmen e tij dhe të Kombëtares, nëse trajneri do të vijojë të jetë në krye të pankinës kuqezi.

Kontrata dhe Kombëtarja shqiptare – Sa i përket të ardhmes time ne kemi folur shpesh, por nëse do të duhet të flasim për rritjen, mendoj se Kombëtarja shqiptare ka pasur rritje. Ka qenë graduale, muaj pas muaji. Sa i përket kontratës, është diçka që e gjykon tjetërkush, e gjykojnë mediat, Presidenti Duka dhe ju të gjithë. Por sa i përket skuadrës, mendoj se kemi bërë mirë në kaq kohë që ne kemi punuar bashkë. Rezultatet e fundit nuk kanë qenë aq pozitive, por për pjesën tjetër mund të them se kemi pasur rezultate shumë të mira. Mund të përmendim ndeshjen me Izraelin dhe Islandën që mendoj se mund të marrim më shumë pikë, sepse e kemi merituar. Kemi folur shpesh për mungesat, por përtej mungesave ne na kanë penalizuar edhe episodet e ndryshme gjatë këtyre ndeshjeve. Mjafton të përmendim faktin që po mos të ishte për minutat shtesë, ne do të kishim më shumë pikë dhe mund të ishim në krye të grupit të Nations League. Por në këto minuta jemi ndëshkuar dhe kemi humbur pikë. për këtë më vjen keq. Por jemi në këmbë. Unë në aspektin personal dua të vazhdoj, por nuk jam unë ai që vendos për këtë marrëdhënie. Jemi përpjekur të punojmë me të rinjtë, me disa element të kampionatit shqiptar të cilët janë shumë të vlefshëm dhe po mundohemi t’i ingranojmë në kombëtare që të tregojnë vlerat e tyre.

Gabimet e lojtarëve – Nëse lojtarët e ndjejnë fanellën, tejkalohen edhe aftësitë teknike dhe gjithkush mund të bëjë më mirë. E kemi thënë gjithmonë, ndoshta duhet të përmirëohemi në aspektin e mentalitetit. Mendoj se jemi përmirësuar. Kemi bërë prapë gabime. E pamë edhe me Italinë, kemi folur, kemi bërë analiza video. I kemi diskutuar të gjitha gjërat dhe prapë na ndodhin dhe më duket pak e çuditshme. Ne i dimë shumë mirë defektet dhe pikat e dobëta që kemi. Por episode bënë sërish diferencën dhe po të shohim ndeshjen me Italinë, bëmë shumë raste për gol, më shumë se në të kaluarën. Edhe në aspektin mbrojtës krijuam disa dobësi por kjo varet edhe nga karakteristikat e lojtarëve. Po flisnim për Immobilen pak më parë, i cili edhe pse nuk ka luajtur shumë, futet dhe shënon gol. Nëse ne do të kishim një lojtar të tillë që futet dhe shënon gol, do të ishte shumë e lehtë për ne. por gjithsesi mendoj që është bërë një punë e mirë. E kisha thënë edhe para Italisë që për mua ishte e rëndësishme paraqitja e skuadrës, që ishte shumë e mirë. Treguam se jemi një grup i mirë.

Grup tjetër lojtarësh për kualifikueset e Kampionatit Europian? – Normalisht në të ardhmen do të duhet të bëjë disa zgjedhje përfundimtare, sigurisht është edhe çështje brezi dhe disa lojtarë me kalimin e moshës do të duhet të largohen dhe është normale. Kemi rreth 40 lojtarë që i vëzhgojmë prej dy vitesh dhe janë në listën tonë. Qëllimi ynë është që të shkojmë në finalet e Euro 2024, po punojmë, dhe po vëzhgojmë lojtarët e rinj. Sigurisht ky është një proces i vështirë, për të krijuar grupin e duhur, pasi nëse bën shumë ndryshime duhet të keshharmoninë e duhur për të intergruar lojtarët e rinj me ekipin. Por koha në dispozicion është e pakët deri në mars, kështu që duhet punuar shumë shpejt. Është diçka shumë e rëndësishme që lojtarët që do vijnë duhet të vijnë me bindjen që të japin gjithçka për këtë skuadër dhe për këtë fanellë. Në të ardhmen do të jem më i vendosur për të bërë zgjedhjet definitive në këtë drejtim.

Fitore nesër kundër Armenisë pas gati një viti? – Bëhet një vit e 3 ditë që nga fitorja e fundit që kemi pasur me Shqipërinë. Më vjen shumë keq sepse nuk jam mësuar me rezultate të tilla. Armenia është një ndeshje e rëndësishme dhe paraqet një vlerë shumë të madhe për ne. dua të provoj sa më shumë lojtarë të rinj dhe sigurisht edhe rezultati nuk duhet lënë mënjanë. Dua të provoj lojtarët e rinj, sidomos nga kampionati shqiptar janë 3-4 lojtarë që kanë treguar vlerat e tyre me Arabinë Saudite dhe Katarin dhe pres të bëjnë mirë në këtë takim. Është një ndeshje që paraqet rëndësi të madhe për ne.

Lojtarët e rinj: Sigurisht që e kisha programuar edhe më parë që në këtë miqësore do të provoj lojtarë të rinj. Duhet të vlerësoj faktin që disa lojtarë që luajtën kundër Italisë në aspektin fizik ndoshta nuk ishin edhe aq mirë kështu që deri nesër në mëngjes do të vlerësoj kush është në gjendje të luajë pasi kanë pasur edhe shumë ngarkesë. Sa i përket të rinjve, mund të them që mund të luajnë nga minuta e parë Hadroj, Gurishta, të shohim Bitrin, ndërsa në sulm edhe Muçi e Skuka do luajnë që nga minuta e parë dhe jam i bindur që do bëjnë një paraqitje të mirë. Për mua janë lojtarë me vlera dhe mendoj se do të bëjnë një ndeshje shumë të mirë.

Lojtarët që do ftohen në Kombëtare në të ardhmen – Në kohët e sotme, të gjithë të rinjtë, jo vetëm ata shqiptarë janë të bindur se janë shumë të fortë dhe kanë të drejtë të luajnë si titullar, por nuk është kështu pasi duhet shumë durim dhe duhet të punosh. Kur vjen në Kombëtare duhet të vijnë me dëshirë dhe të jenë të bindur që ta ndjejnë fanellën. Të rinjtë duan gjithçka shpejt por kjo është e gabuar. Në Kombëtare nuk ke kohë të bësh eksperiemente, është ndryshe nga kampionati. Dhe miqësoret na shërbejnë për të provuar edhe ndonjë lojtar të rinj. Ata që do të duan të luajnë me Shqipërinë do të ftohen dhe ata që nuk vijnë me dëshirë këtu atëherë nuk do të ftohen më në Kombëtare.

Ndeshja e fundit në krye të Shqipërisë, keqardhje nëse largoheni? – Sigurisht që në këtë drejtim e ndjej si një ndeshje të veçantë dhe emocionuese, por nëse nuk do jem trajneri i Shqipërisë unë mbetem i dashuruar me këtë vend. Para pak ditësh vizitova jugun e Shqipërisë dhe vizitova Sarandën e Gjirokastrë, që më kanë pëlqyer shumë. Flitet shumë për jugun e Shqipërisë, por nuk ka vetëm jugun, ky vend është shumë i bukur. është shumë e sigurt që nëse unë nuk do të jem trajner i Shqipërisë, unë do të kthehem këtu, qoftë edhe për të vizituar Shqipërinë, por edhe për të parë ndonjë ndeshje. Nuk e di çfarë mendoni ju, por ka shumë njerëz që më duan vërtetë dhe më respektojnë. Do të doja të vizitoja edhe Krujën, pasi kam lexuar disa libra për të njohur akoma edhe më mirë Shqipërinë. At Zef Pllumin, apo edhe Ismail Kadarenë. Turqit kanë vuajtur shumë, derisa i pushtuan, pasi shqiptari ka treguar karakter shumë të fortë me turqit dhe do doja që këtë karakter të fortë ta tregonte edhe duke luajtur futboll.”

Edhe mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj, teksa iu përgjigj interesit të mediave u shpreh se kuqezinjtë duhet të marrin një fitore kundër Armenisë, për të harruar këtë vit të vështirë. Ai falënderon edhe tifozët për mbështetjen, ndërsa flet edhe për lojtarët e rinj në Kombëtare.

Ndeshja kundër Armenisë – Besojmë që duhet të marrim një fitore sepse ka qenë një vit i vështirë dhe nuk kemi pasur fitore. Besoj që duhet një fitore për ta mbyllur dhe për të harruar këtë vit që kaloi sepse kemi kaluar momente të vështira e momente të mira. Por kështu e ka futbolli dhe të gjithë çunat e duan një fitore kundër Armenisë.

Lojtarët e rinj në Kombëtare? – Kam takuar djemtë e rinj që kanë ardhur, janë shumë të edukuar, stërviten mirë, i japin një dorë skuadrës dhe kanë edhe cilësi. Siç e pamë edhe kundër Italisë, u futën dhe treguan kualitetin e tyre dhe besoj që në këtë ndeshje do të kenë më shumë mundësi të tregojnë veten dhe t’i tregojnë të gjithëve që bëjnë për Kombëtaren dhe duhet të luftojnë për Kombëtaren.

Mungesa e lojtarëve – Gjithmonë mirë është që të jemi të gjithë si ekip. Si edhe përpara kemi pasur mungesa në ndeshjet e kaluara dhe kjo mund t’i vështirësojë ndeshjet tona dhe lojën tonë, por në Kombëtare duhet të vijnë të gjithë me qejf, pasi Kombëtarja është ëndrra e të gjithëve. Dhe është një komb që na vjen mbrapa, e pamë edhe në ndeshjen me Italinë, i falënderoj të gjithë tifozët sepse po na mbështesin. Dhe në kualifikueset e Kampionatit Europian 2024 duhet të tregojmë që jemi një grup i fortë dhe të tregojmë vlerat tona sepse i kemi.

Individi apo skuadra? – Duhet të jemi skuadër. Individ është edhe Messi dhe nuk po arrin të fitojë Kupën e Botës me Argjentinën. Ne jemi një grup i mirë, jemi një grup lojtarësh që duhet të bashkohemi akoma sepse ka edhe çuna të rinj që nuk e kuptojnë akoma mirë. Duhet të jemi të mirë ne të vjetrit që t’i fusim në grup mirë dhe t’i japim një dorë  sepse janë lojtarë me rëndësi dhe duhet që ta kuptojnë që mund të japin më shumë.

Objektivat e ndeshjes nesër – Kemi qëndruar në Kombëtare që t’i mbyllim sa më mirë miqësoret e këtij muaji. Për ne nuk ka rëndësi nëse është Armenia apo Italia. Objektivi ynë nuk ndryshon. Ndaj Italisë kishim mundësitë tona për të shënuar. Duhet të luajmë njësoj edhe kundër Armenisë, të qetë. Ta dimë vlerën tonë dhe ta dimë edhe se deri ku mund të arrijmë. Të japim maksimumin dhe besoj se do të marrim një fitore në fund.

Mesazhi për tifozët – Me Italinë stadiumi ishte plot sepse kombëtarja italiane ka shumë mbështetës këtu, por ne jemi të vetëdijshëm se tifozët nuk na kanë braktisur kurrë. Na kanë mbështetur dhe na kanë qëndruar afër dhe na kanë mbështetur kudo ku kemi luajtur, jo vetëm në Shqipëri. Janë ndër pikat tona më të forta dhe duhet t’i falenderoj shumë, ndaj ne duhet të fitojmë ndaj Armenisë edhe për tifozët, që të mbyllim këtë vit me fitore.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img