Vllaznia e Tirana humbasin, Partizani barazon. Nuk kanë munguar surprizat në javën e 19-të të “Abissnet Superiore” duke dhënë një panoramë të një kampionati ku duket se diferencat mes skuadrave pothuajse nuk ekzistojnë. Edhe këtë javë, në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, nuk ka munguar analiza e të përhershmit Shkëlqim Muça.
Forma e të kuqve – “Nuk është ndeshja e parë që Partizani ka dominuar dhe në fund ka lënë pikët. Kjo do të thotë që skuadra është e papjekur, nuk ka një lider, të luajë me personalitet. Bëri një ndeshje të mirë, duhet ta kishte mbyllë. Por futbolli i tillë është, duhet të jeshë i kujdesshëm në çdo moment. Ka qënë një muaj shumë i keq për Partizanin. Jo se ka luajtur keq, ka bërë ndeshje të mira, por duhet të tregojë më shumë personalitet. Sulmon shumë, por nuk ka pika referimi ashtu siç kanë skuadrat e tjera. Egnatia? Ndryshimet e shumta nuk ndikojnë për mirë dhe kjo shihet. Loja e skuadrës nuk ka qenë aty ku duhet, më përpara skuadra të argëtonte. Mund të kthehet në bumerang kur bën ndryshime në këtë periudhë”.
Fitorja e shijakasve – “Erzeni është një skuadër me shumë karakter, është ky një faktor që e bën të mos dorëzohet. Ka dëshirë, ka optimizëm, stafi duket i fortë dhe kanë krijuar një frymë të mirë. Vllaznia e humbi ndeshjen në mbrojtje, me gabime në vendosje. Shehi është i ngathët, ndërsa Gurishtën e rrëmben loja, futet edhe në organizim. Shkodranët nuk kanë lojtar qendre, luajnë me lojtar të improvizuar”.
Duhet edhe fati – “Një ndeshje ku ndikoi edhe fati fati. Kukësi ka fituar dy ndeshje. Suksesi në Rrogozhinë i dha zemër, por mendoj se ka problem. Ka një ndeshje të vështirë në Shkodër, një humbje e rikthen edhe njëherë në zonën e ftohtë. Mendoj se drejtuesit duhet të mbështesin shumë trajnerin Hallaçi. Duhet ta trajtojnë mirë, sepse është një njeri që di të krijojë frymën e duhur. Ka fituar dy ndeshje shumë të rëndësishme, duhet ti japin besim”.
Përmbysja e Teutës nga Laçi – “Teuta e nisi furishëm ndeshjen, krijoi, e dominoi lojën, shënoi dy gola. Pasi pësoi golin e parë u shkërmoq. Mendoj se humbi një ndeshje që e kishte në dorë, sepse të kesh shënuar dy gola dhe të humbasësh, nuk e kuptoj. Laçi e nisi keq, por më pas ndryshoi totalisht, fitoi një ndeshje që dukej e humbur për ta”.