KF Vllaznia Futsal-FC Olimpik 1 Maj 19-7(4-2)
(Shënues për Vllazninë: Lera 7, Hasaj 6, Kiri 5, Lekiq 1)
Java e tetë e Kampionatit Kombëtar të Futsallës kishte rezervuar derbin shkodran të futsallës shqiptare. Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, është luajtur sfida KF Vllaznia Futsal-FC Olimpik 1 Maj.
Ndonëse pritej të kishte një garë me rivalitet dhe emocione, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Dhe, kjo ka ardhur nga diferencat mes dy skuadrave, Vllaznia në një “top formë” duke qënë edhe pretendente kryesore për titull dhe Olimpik 1 Maji, një skuadër modeste që në këtë sezon nuk ka qënë në nivelin e kërkuar.
Gjithësesi, pjesa e parë la një shije të mirë, kur katër golave të shënuar nga Vllaznia Futsal i janë përgjigjur dy golat e Olimpik 1 Maj. Por, ajo që bën diferencen është pjesa e dytë, gjatë minutave të së cilës futbollistët e Vllaznia Futsal të drejtuar nga trajneri Bujar Celufaj, shpërthejnë në shënimin e 15 golave, që duke i shtuar edhe ato të pjesës së parë, shifra shkon në kuotën e 19 golave, ndaj 7 të skuadrës kundërshtare. Protagonistët e 19 golave të Vllaznisë Futsal, janë: Lera 7, Hasaj 6, Kiri 5, dhe Lekiq 1.
Për t’u theksuar është se mbëmjen e sotme, po në kuadrin e javës së tetë, kanë luajtur edhe dy rivalet kryesore të Vllaznisë, Flamurtari dhe Tirana. Flamurtari ka fituar në transfertë me ekipin e Forcave të Armatosura 0-3 dhe vazhdon të kryesojë kampionatin me dy pikë më shumë sesa Vllaznia dhe Tirana që janë me pikë të barabarta. Kjo e fundit, mundi sot në shtëpi, ekipin Eagles Land 3-0 .
Java e ardhshme, rezervon ndeshjen më të rëndësishme, pasi skuadra kryesuese e kampionatit, Flamurtari i Vlorës, pret në pallatin e sportit “Flamurtari”, Vllazninë e Shkodrës. Një sfidë që do të përcaktojë shumë në lidhje me verdiktin e luftës për titullin kampion. Ndeshje, e cila, dhe sipas drejtuesve të futsallës shkodrane, Vllaznia ka objektiv vetëm fitoren.
(Video) Pamje nga ndeshja, KF Vllaznia Futsal-FC Olimpik 1 Maj, 19-7