Kohë më parë, Veriu Sport, paralajmëronte nisjen e një bashkëpunimi në mes KF Vllaznia dhe Rapid Wien. Ka qënë sekretari i përgjithshëm i klubit kuqeblu, Blendi Dibra, i cili pati realizuar disa takime paraprake me homologë të tij në nivel klubesh. Por, në një farë mënyre, infot e publikuara për këtë qëllim, për ndonjë pjesë të opinionit sportiv, ishin më tepër mediatike, sesa konkrete për realizimin e këtij bashkëpunimi.
Por, tashmë mund të themi se një gjë e tillë quhet e konsoliduar, dhe se bashkpunimi ndërmjet Vllaznisë dhe Rapid Wien, është fare pranë zyrtarizimit. Veriu Sport, mëson se një delegacion sportiv i klubit kuqeblu, me në krye Presidentin Alban Xhaferi, Sekretarin e Përgjithshëm Blendi Dibra, Drejtorin Sportiv Auron Miloti, si dhe të shoqëruar nga Konsulli i Nderit i Austrise z.Gjergj Leqejza, ka udhëtuar drejt Vjenës, duke qënë të ftuar nderi të drejtuesve të klubit austriak, Rapid Wien.
Foto që shoqëron shkrimin, tregon qartë, se mbrëmjen e sotme, Xhaferi, Dibra, Miloti, dhe Leqejza, nën shoqërin e drejtuesve të klubit Rapid Wien, kanë ndjekur së bashku ndeshjen e Bundesliges Austriake Rapid -Red Bull.
Ndërkohë, gjithnjë sipas informacioneve konfidenciale që vijnë nga Viena, mësohet se, nesër, e hënë, do të jetë takimi zyrtar, ku pritet të diskutohet në lidhje me bashkpunimin në nivel Akademish, gjë e cila do të sjellë një avantazh shumë të madh për të rinjtë e talentuar shkodranë, pasi, ato më të spikaturit do të kenë mundësinë të trajnohen në klubin austriak.
Nga të njëjtat burime, mësohet, se Presidenti Xhaferi, dhe kolegët e tij që e shoqërojnë në Viene, nuk do të kenë mundësinë kohore të jenë të pranishëm në sfidën e nesërme të Superiores, në mes Teutës dhe Vllaznisë, që luhet të hëanën, duke filluar nga ora 16:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, e vlefshme për javën e 24-t të Abissnet Superiore.