Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se Armando Cungu nuk do të jetë më trajner i Kombëtares U-19 dhe se përfundimi i bashkëpunimit ka ardhur me konsensus palëve.
Ky vendim ka ardhur si rrjedhojë e strategjisë së re që është duke u implementuar nga Departamenti Teknik në Federatën Shqiptare dhe trajneri e ka pasur të pamundur t’i përgjigjet kriterit ku të gjithë trajnerët e ekipeve Kombëtare të moshave duhet të jenë “full time” të pranishëm në zyrat e Federatës dhe të mos kenë impenjime të tjera profesionale.
Trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave kanë për detyrë të punojnë ngushtë me stafet e tyre teknike çdo ditë të javës për të ndjekur e monitoruar talentet dhe të organizojnë seleksionime e grumbullime. Gjithashtu, trajnerët duhet të kenë një bashkëpunim të përditshëm me kolegët dhe stafet e ekipeve të tjera të moshave dhe me Drejtorinë Teknike të FSHF-së.
Federata Shqiptare e Futbollit gjen rastin të falënderoj Armando Cungun për punën që ka bërë në drejtimin e ekipit Kombëtar U-19 dhe i shpreh vlerësimet maksimale për seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin që ka treguar në drejtimin e skuadrës kuqezi.