Është thënë dhe rithënë disa herë gjatë këtij sezoni futbollistit, që kjo apo ajo përballje konsiderohet si ndeshja e sezonit për Vllazninë. Fillimisht, një gjë e tillë është përdorur për fatet e titullit kampion, më pas edhe për Kupën e Shqipërisë, kompeticione këto që fatkeqësisht dolën jashtë planeve të kuqebluve.
Ndërkohë, i vetmi objektiv që ka të bëjë me luajtjen në Europë, është renditja në vendin e katërt kampionatit të Superiores. Vend të cilin e mban aktualisht Laçi me 44 pikë, ndërkohë që krahas Vllaznisë së vendit të pestë me 43 pikë e synon edhe Teuta e Durrësit që renditet e gjashta me 42 pikë.
Këto dy të fundit, Vllaznia dhe Teuta, do të ndeshen pasditen e mërkuës në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 15:00. Sfidë kjo që konsiderohet si shumë e rëndësishme për kuqeblutë, apo siç po e quajnë në qytetin verior, si “ndeshja e sezonit”.
Ndaj, për të eleminuar një kundërshtar direkt si durrsakët që e synojnë vendin e katërt, kuqeblutë janë të “dënuar” ta fitojnë patjetër këtë ndeshje dhe gjatë rrugës në ndeshjet e mbetura të bëjnë të njëjtën gjë edhe me Laçin, të cilin e pret dy javë më pas po në “Loro Boriçi”, në mënyrë që objektivi Europë të realizohet.
Është kjo arsyeja që në kampin kuqeblu, por edhe në mbarë opinionin sportiv shkodran, sfida Vllaznia-Teuta po pritet me shumë interesim. Në pritje të kësaj ndeshje, skuadra kuqeblu ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e parafundit stërvitore, ku tekniku maqedonas, Goce Sedloski po aplikon të gjitha variantet e mundshme anti-Teuta, në mënyrë që ta kurorëzojë me sukses ballafaqimin e pasnesërm në “Loro Boriçi”.