Çeki-Shqipëri 1-1(Shënues: Çerni 58’/Bajrami 67’)
Kartone te verdhe:Provod 90+6,Sitil 90+7/Asani 52,Bajrami 67
Çekia:Pavlenka,Holes,Brabek,Krejçi(Sitil 86),Cufal,Suçek,Kral,Provod,Çerni(Hlozek 70),Kuçta(Jureçka 70),Cvançara(Linger 86) Trajner:Jaroslav Silhavi
Shqiperia:Berisha,Hysaj,Ismajli,Xhimshiti,Mitaj,Ramadani,Asllani(Bare 69),Seferi(Uzuni 84),Bajrami(Gjasula 84),Asani(Muja 69),Cikalleshi(Daku 60) Trajner:Silvinjo
Arbitra:Antoni Tejlor,Geri Besuik,Li Bits,Kreig Pauson(Angli) Var:Darren Egland(Angli) Avar:Majkell Salisburi(Angli) Delegat:David Moran(Irlande) Vezhgues:Sabri Çelik(Turqi)
Është mbyllur në barazim 1-1 sfida Çeki-Shqipëri, takim ky i luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Fortuna Arena” të Pragës i vlefshëm për kualifikueset e Europianit “Gjermani 2024”, Grupi E.
Një lojë e mirë dhe dinjitoze e kuqezinjëve tanë ku kulmin e arriti në minutën e 66-të me një supergjuajtje të Nedim Bajramit, topi i të cilit i goditur nga distanca shkoi në trekëndëshin e majtë të portës çeke. Gol ky, i cili erdhi dhjetë minuta pas golit të shënuar nga vendasit me autor Cerny duke vendosur barazpeshën e rezultatit 1 me 1, duke ndezur atmosferën në kampin kuqezi, në pankinë dhe tribunën e tifozërisë kuqezi.
Një rezultat ky që qëndroi në fuqi deri në fundin e të gjithë takimit duke fiksuar një barazim, ku pika e marrë në transfertë përballë skuadrës së Çekisë kryesuese të grupit që konsiderohet pozitive për kuqezinjtë tanë, të cilët arrijnë të stopojnë avancimin e çekëve në kryesim duke mbajtur të njëjtat pozita në renditje.
Që do të thotë se në klasifikimin e renditjes së grupit E, në krye vazhdon të jetë Çekia me 8 pikë e ndjekur nga Shqipëria në vendin e dytë me 7 pikë, Polonia e treta me 6 pikë, Moldavia e katërta me 5 pikë dhe Ishujt Faroe në fund me 1 pikë.
Një renditje kjo që e bën jashtë mase të rëndësishme dhe emocionuese ndeshjen e radhës për kombëtaren tonë, e cila mbrëmjen e së dieles së 10 shtatorit pret në “Air Albania” kombëtaren e Polonisë, sfidë e cila do të nisë në orën 20:45.
Fatos LAMAJ