Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë kursin e radhës për video-analistë futbolli, një profesion i cili po po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm në botën e futbollit. Video-analisti i futbollit mbledh të gjithë informacionin e nevojshëm për punën e skuadrës, të trajnerëve e të drejtuesve dhe çdo staf teknik ka nevojë për një figurë të tillë.
Kursi i video-analistit do të nisë më datë 22 prill dhe do të jetë i ndarë në dy periudha, më konkretisht 22-24 prill; 29 prill-2 maj, teksa do të zhvillohet në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” nën drejtimin e përgjegjësit të video-analizës në FSHF, Alarico Rossi.
Përgjatë këtij kursi do të trajtohen të gjitha çështjet që lidhen me analizën e futbollit: taktikat, përdorimin e videove, analizën e të dhënave dhe trajnimit.
Kriteret që duhet të plotësojë një kandidat për të fituar të drejtën për t’u pranuar në kursin e video-analistit janë si më poshtë:
- a) Mosha minimale 18 vjeç, e plotësuar në datën e afatit të aplikimit
- b) Diploma e Shkollës së Mesme
- c) Aktivitetin që ju ushtroni
- d) Numër kontakti
- e) Fotokopje e ID ose e Pasaportës
Kërkesa për regjistrim duhet të dërgohet përmes postës elektronike në adresën drejtoria.teknike@fshf.al, përmes postës së zakonshme me konfirmim marrjeje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pranë sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 18.04.2024 dhe aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen. Për çdo informacion në lidhje me aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni tek adresa e postës elektronike drejtoria.teknike@fshf.al.