Vllaznia ka zhgënjyer. Po po në kuptimin e vërtetë të fjalës ka lënë shije të hidhur në mbarë opinionin sportiv. Pas ndeshjes së djeshme, ku barazimi iu vesh si “vello” Egnatias për të shkuar në dasmën e së dielës, shkodranët humbën mundësinë për të qenë pretendentë seriozë për titullin kampion.
Në një stinë plot tension dhe emocion, tifozëria kuqeblu ishte gati të shpërthente nga euforia e fitores së pritshme. Madje për të qenë “full charge” në Shkodër gjithë ballkonët u veshën me flamuj të dy ngjyrave të ekipit. Por realiteti në Tiranë i ktheu me “këmbë në tokë”. Rezultati që u përballën i la të trembur. Kjo ndeshje shënoi herën e fundit që Vllaznia humb mundësinë për të qenë në garë për titullin kampion, duke i hapur rrugën rrogozhionasve për të arritur në finale dhe për të garuar kundër Partizanit.
Këto zhënjime të përsëritura të Vllaznisë janë shndërruar në një refren të hidhur për tifozët e tyre. Nuk është hera e parë që ata shijojnë këtë panoramë të pahijshme, duke parë ekipin e tyre të humbasë mundësitë për titullin në momentet e fundit të sezonit.
Pikërisht në këtë moment, pyetjet vijojnë të gurgullojnë. Ku shkon Vllaznia nga kjo pikë? Çfarë duhet të ndryshojë për të shmangur këto zhgënjime të përsëritura? A ka nevojë për ndryshime të thella në ekipin e tyre apo për një qasje të re ndaj trajnerit dhe menaxhimit? A e meriton kjo tifozëri gjithë këtë zhgënjim? Minimalisht secili prej tyre dje ka shpenzuar 30 mijë lekë për të qenë në “Air Albania”, llogaritur me rrogën mesatare në vend, padyshim që dhemb.
Në këtë moment kritik, është e rëndësishme që tifozëria dhe ekipi i Vllaznisë të qëndrojnë bashkë dhe të reflektojnë mbi rrugën përpara. Duket se një përmbysje e madhe duhet të ndodhë në mendësinë dhe performancën e tyre në fushë për të shmangur humbjen e titullit në sezonin e ardhshëm. Koha është e rrjeteve sociale, por futbolli luhet aty, në mes të fushës së blertë.
Në fund të fundit për tifozët e Vllaznisë, shpresat dhe ëndrrat për një kampionat triumfal nuk duhet të vdesin. Por për të arritur këtë, duhet të ketë ndryshime të domosdoshme dhe përpjekje të reja për të rikthyer entuziazmin e lojtarët me “këmbë në tokë”.
Fatos LAMAJ