Thursday, November 21, 2024

Sporti kosovar në zi! Ndahet nga jeta në moshën 63 vjeçare, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci. KH Vllaznia, shpreh keqardhjen për humbjen e parakohshme të mikut dhe bashkëpunëtorit të tyre

Lexo

I pabesueshëm lajmi i ndarjes nga jeta, për simbolin e hendbollit kosovar, Izet Gjinovci. Sporti i Hendbollit në Kosovë ka mbetur pa personalitetin e shquar të tij. Këtë të Hënë, ka ndërruar jetë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci.

Lajmi për ndarjen para kohe nga jeta në moshën 63 vjeçare  të zotit Gjinovski është pritur me keqardhje të madhe në qytetin e Shkodrës, aty ku edhe lidhjet e tij kanë qënë të forta duke qënë se ishte dhëndërr në familjen e nderuar shkodrane “Axhemi”.

“Lamtumirë Izet Gjinovci!

Të kisha dhëndër, vëlla, mik e shok të shtrenjtë! Gjithmonë rrezatoje fisnikëri, dinjitet, urtësi dhe mirësi! Ishe dhe do të mbetesh simbol i sportit kosovar, vecanërisht hendbollit që i dhe aq shumë! Do na mungosh shumë! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Të dashtun miq dhe të afërm të familjes Axhemi, me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen e parakohshme nga jeta të dhëndrit tonë Izet Gjinovci. Varrimi bëhet në Makërmal, Skënderaj, Kosovë, nesër e martë 06 gusht 2024 në orën 17.00. Familja Gjinovci pret vizitat e ngushëllimit (Të Pamet) të mërkurën dhe të enjten, në datat 7 dhe 8 gusht, nga ora 09.00-17.00 në ambjentet e Hotel Grand, Prishtinë.”, shkruan Sokol Axhemi, në postimin e përcjellë në rrjetin e tij social FB.

Po kështu, me shumë keqardhje e kanë përjetuar lajmin e ndarjes nga jeta të Izet Gjinovskit edhe pjesëtarët e komunitetit shkodran të sportit të handballit, me të cilët Izeti ishte shumë i lidhur.

Së bashku me bashkëshorten e tij, Valbona Axhemi(Gjonovski),  sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Izet Gjinovci, ka preferuar ta vizitojë shumë shumë shpesh qytetin e Shkodrës duke dhënë kontributinin e në mbështetjen dhe zhvillimin e sportit të handballit.

Kanë qënë pikërisht, drejtuesit kryesorë të Klubit të Handballit Vllaznia, Arjan Ibërshimi dhe Vili Haxhija, të cilët kanë përcjellë lajmin e ndekjes së mikut të tyre duke kërkuar t’i përcjellin zyrtarisht Federatas Kosovare të Handballit dhe familjes Gjinovski, ngushëllimet e rastit për humbjen e parakohshme, si dhe në të njjëjtën kohë edhe familjes “Gjinovski” për humbjen e njeriut të tyre të afërm.

Gjinovci, ia ka kushtuar gjithë jetën sportit të hendbollit. Detyrat e tij si sekretar i përgjithshëm i ka kryer me përkushtim e pasion shembullor deri në frymën e fundit. Kontributi i tij për zhvillimin e hendbollit në Kosovë është i pakrahasueshëm.

Pas karrierës së suksesshme si hendbollist i Prishtinës, Gjinovci mori drejtimin e klubit prishtinas. Ka sakrifikuar shumë për ta udhëhequr klubin me sukses, ndërsa në një periudhë e kishte shkrirë gjithë pasurinë për mbarëvajtjen e klubit.

Ka kontribuar në pavarësimin e sportit kosovar, ndërsa në vitet ’90, kur sporti kishte misionin e kundërvënies ndaj represionit, është shquar me angazhimin e pandalshëm. Ishte pjesë e organizimeve të rëndësishme të hendbollit dhe pjesë e pandashme e tij.

Prej vitit 2002 e deri në ditën e fundit të jetës e ka kryer me sukses të plotë punën e sekretarit gjeneral të Federatës së Hendbollit të Kosovës. Ka udhëhequr procesin e lobimit ndërkombëtar, së bashku me presidentin e nderit të FHK-së, Mexhid Devaja.

Që në vitin 2004, një dekadë para sporteve tjera ekipore, FHK-ja u pranua me të drejta të kufizuara në Federatën Evropiane të Hendbollit. Klubet kosovare e fituan të drejtën e paraqitjes në gara evropiane dhe kontributi i Izet Gjinovcit në këtë proces ishte i madh.

Më pas, së bashku me presidentin e FHK-së, Eugen Saraçini, kanë udhëhequr procesin e pranimit të plotë në EHF e IHF. Edhe ky proces u përmbyll me sukses të plotë. FHK-ja u pranua e para prej federatave të sporteve kolektive.

Raportet e z.Gjinovci me komunitetin e hendbollit në vend ishin përherë shembullore. Ai është vlerësuar e është çmuar në secilin mjedis ku është paraqitur. Edhe raportet me drejtues të IHF-së e EHF-së dhe të federatave tjera nacionale i kishte të shkëlqyera. Është dalluar për karizmën që i ka mundësuar qasje në nivelet më të larta të hendbollit ndërkombëtar. Prej 23 prillit të vitit 2021, Gjinovci ishte anëtar i Gjykatës së Apelit të EHF-së.

Në këtë organ të rëndësishëm ishte zgjedhur me votat e anëtarëve të Kongresit të EHF-së. Ishte prej më të votuarve dhe kjo dëshmon për respektin që ka gëzuar në nivelet ndërkombëtare të hendbollit.

I ndjeri Gjinovci ka kontribuuar në zhvillimin e hovshëm të ekipeve tona kombëtare, dy kualifikimet historike në Botëror dhe arritjen në nivele gjithnjë e më të larta me Kombëtaret A.

Bashkëpunimin me federatat tjera të vendit dhe me institucionet shtetërore e kishte të shkëlqyer. Dyert i ka pasur të hapura në çdo vend falë punës së madhe që e ka kryer. Z.Gjinovci kishte nje respekt të veçantë për qytetin tonë falë dhe lidhjeve të tij familjare.

Me ndarjen nga jeta të Gjinovcit, hendbolli në Kosovë dhe FHK-ja kanë mbetur pa një shtyllë shumë të rëndësishme.

KH Vllaznia i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Gjinovci, hendbollistëve dhe gjithë sportdashësve në Kosovë për këtë humbje të parakohshme.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img