Vllaznia-Teuta 1-3(25-23, 24-26, 25-27, 22-25)
Për ato që nuk e ndjekur prej së afërmi ndeshjen e volejbollit meshkuj në mes Vllaznisë dhe Teutës, teksa mësojnë rezultatin, 1 me 3 në favor të durrsakëve të krijohet përshtypja se miqtë nga Durrësi kanë fituar me lehtësi.
Por realiteti flet ndryshe, dhe për këtë mjaftojnë shifrat e seteve që vetëm dy pikë në çdo fundseti fiksojnë fitoren e skuadrës përkatëse. Kështu, seti i parë mbyllet me shifrat 25-23 në favor të Vllaznisë. Dy setet e tjera janë akoma edhe më të fortë, pasi për të përcaktuar fituesin janë dashur pikët shtesë.
Pas disa barazimeve radhazi, janë miqtë nga Durrësi që fiksojnë fitoren me shifrat 24-26. Barazim me sete, 1 me 1, ndërkohë që seti i tretë është akoma më i bukur, më luftarak, ku përsëri duhen pikët shtesë për të përcaktuar fituesin. Madje, këtë radhë me shifra edhe më të larta, 25-27, ku përsëri fati i buzëqesh Teutës, e cila merr kryesimin me seteve në 1 me 2.
I katërti nis më mirë për Vllazninë, e cila nën dirigjimin e kapitenit Nikolin Qafarena kryeson deëri tek pika e 22-të, por mbyllja e setit është përsëri për miqtë nga Durrësi, këtë radhë me shifrat 22-25, duke fituar kështu të gjithë ndeshjen me rezultatitn1 me 3.
Me këtë fitore, Teuta e drejtuar nga trajneri Mirion Vllamasi ngjitet në mesin e tabelës së klasifikimit, ndërkohë për ekipin kuqeblu të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij Ermal Kraja, kjo është humbja e pestë në gjashtë javë kampionat, duke thelluar më shumë krizën e mungesës së rezultateve pozitive.
Megjithatë, edhe pse u mund 1-3, për trajnerin e Vllaznisë Artan Kalaja, skuadra e tij, e cila është bio me të gjithë volejbollistë shkodranë, luajti më mirë se në ndeshjat e tjera duke dhënë garanci për një rikthim tek rezultatet pozitive, duke filluar nga java e ardhme kur kuqeblutë e rrjetës do të luajnë në kryeqytet përballë Studentit.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit shkodran Artan Kalaja si dhe të homologut të tij të Teutës, Mirion Vllamasi, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.