Trajneri i Partizanit, Aleksandar Veselinovic, ka folur për mediat në prag të derbit kundër Dinamos, që do të zhvillohet nesër në orën 16:30 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH Sport. Tekniku i “demave” vlerëson maksimalisht Dinamon, por synon tre pikët në derbin e nesërm.
Pas fitores me Teutën morali skuadrës është më i lartë?
Nga dita e parë punoj me një grup djemsh të mrekullueshëm. Patjetër që mund të ndikoj në gjendjen e tyre një rezultat i mirë, por pavarësisht rezultateve ata punojnë në mënyrë të shkëlqyer çdo ditë. Nuk është se kemi seleksionim të gjerë lojtarësh, kemi në gjirin tonë edhe lojtarë të rinj, por të gjithë sëbashku punojnë në mënyrë të përkryer.
Janjeva dhe Padstrelau shënuan në ndeshjen e fundit?
Ne jemi një ekip ku shumë lojtarë shënojnë, nuk është se kemi një lojtar që ka bërë shumë gola. Ndeshjen e fundit shënoj Janjeva që është mbrojtës dhe Padstrelau një anësor. Padstrelau po luan në pozicionin e vet pasi është një anësor. Janjeva është një djalë i mrekullueshëm, ka personalitet dhe është çdo ditë i motivuar. Pozicioni natyral i tij është qendërmbrojtës. Pas largimit të Hadroj nuk është se kemi zgjidhje natyrale të atij pozicioni. Janjeva si profesionist që është e ka pranuar këtë rol dhe e interpreton profesionalisht dhe është shumë serioz në këtë pozicion. Pjesa ime është që ta mbështes atë.
Do të vazhdoj Partizani serinë e rezultateve pozitive ndaj Dinamo City?
Në dy ndeshjet që kemi luajtur ku kemi barazuar një dhe fituar një tjetër ato tani i përkasin historisë, të shkuarës. Nesër si ne dhe Dinamo City vijmë me ndryshime në përbërje. Çdo ndeshje e re është një bisedë e re. Ajo që është e vërtetë është që duhet të kemi respekt për historinë dhe kulturën e Dinamo City. Njëkohësisht gëzoj të njëjtin respekt edhe për ekipin aktual të Dinamo City. Gjithmonë e them unë tregoj një lloj kulture ndaj çdo kundërshtari dhe Dinamo City specifikisht në këtë rast meriton respekt. Nga ana tjetër ne nuk kemi rrugëdalje tjetër përveç se të mendojmë për veten tonë.
4 ekipet e para kanë filluar të krijojnë distancë nga ekipet e tjera, e shikoni problem humbjen e motivimit në vazhdimësi?
Tani flasim për ekipin tonë. Ne nuk jemi në atë gjendje apo situatë të mendojmë në atë formë. Nga ana tjetër nëse mendojmë në atë formë do të dukemi arrogant, pasi në sport duhet të tregojmë respekt të vazhdueshëm. Çdo ekip tjetër në këtë kampionat meriton respekt maksimal dhe mund të numëroj shumë ndeshje nga ato që kanë luajtur ekipet e poshtme të tabelës me ato sipër tabelës që kanë patur rezultate të mira. E kam thënë më herët dhe po e përsëris tani çdo pikë në këtë kampionat është flori. Nuk e di se çfarë mendojnë të tjerët por ky është mendimi im.
Prisni afrime të tjera përgjatë merkatos së janarit?
E kam thënë shumë herë që përgjegjësia ime kryesore është të merrem me metodikën, proçesin stërvitor dhe të përcaktoj formacionin më të mirë në raport me atë që kemi. Përsa i përket ardhjes apo ikjes së lojtarëve nuk jam personi që duhet ti drejtoheni, janë persona të tjerë të cilët mund ti adresoheni. Në mbyllje përgjegjësia ime është ndaj djemve që janë aktualisht. Të jem maksimalisht i motivuar dhe ti përkrah ata maksimalisht.