Ndeshja e luajtur në “Elbasan Arena” pati disa episode të veçanta, që “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj: -Numri i tifozëve nuk shkonte më shumë se 400. Një prezencë më e madhe e shkodranëve, ku nuk mungoi grupimi i tyre ultras.
-Vllaznia doli në fushë me fanella, ku ishte stampuar numrin 106, për shkak se ky klub kremton 106-vjetorin e themelimit.
-Që në fillim ankesat për arbitrin nga tribuna: “O arbitër, nuk ke bilbil me vete mo”, shprehen tifozët, duke mos qenë dakord me vendimet e tij. Gjatë gjithë kohës kontestime nga tribunat.
-Në minutën e 10-të Brdariç merr një kapele nga stoli dhe e vendos në kokë. E mban disa minuta dhe e heq, pasi mesa duket nuk ndihej rehat.
-Bajramaj ndal lojën në minutën e 12-të, pasi Jorgo Meksi çahet në kokë. Mbrojtësi vazhdon lojën me kokë të fashuar.
-Daja ka shumë pakënaqësi me arbitrin, që nis me kartonin e parë të Karambës. “Se ku i gjejnë këta, për t’i rehabilituar te ne”, shfryn fillimisht ai. Më pas Karamba del me të kuqe dhe trajneri u drejtohet zyrtarëve të ndeshjes: “Nuk keni arbitra ndërkombëtarë ju, apo i mbani për në Kategori të Parë ata”.
-Karamba nuk u beson syve për kartonin e kuq dhe del nga fusha mes lotësh. I vetëdijshëm që gaboi dhe la skuadrën në baltë.
-Nuk mungon tensioni në tribuna nga tifozët e Vllaznisë te kartoni i kuq i Jagos. Pas ndërhyrjes së policisë ata qetësohen, pasi donin të hynin në fushë.
-Shiu me erë të fortë ishte një sfidë më vete për kameramanët. Në një moment njërit i prishet çadra dhe gjyqtari i 4-t e ndihmon. Të dy shtrëngojnë duart.
-Ka kontestime ndaj Dajës nga tifozët shkodranë, të cilët i përmendin presionin ndaj arbitrave, sipas tyre. “O Daja, nuk ke turp që u bën presion arbitrave, se do vish në Shkodër”, ia behën ata.
-Në hollin e stadiumit Daja takohet me kapitenin e Vllaznisë, Bekim Balaj. Me tone miqësore diskutojnë për të gjitha rastet e dyshimta, ku secili prej tyre kishte pretendimet ndaj vendimeve të arbitrit.