Vllaznia – Teuta 0:0
E hënë, 3 maj 2021, ora 18.00, stadiumi “Loro Boriçi” i qytetit të Shkodrës
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Shehi, Isaevski, Krymi, Marku, Imeri(Jonuzi 66’), Da Silva(Sise 85’), Hoxhaj, Dilaver(Kruja). Trajner: Th. Brdariç
Teuta: Frashëri, Arapi(Kuro 8’), Hoxha, Xhekson, Todorovski, Aleksi, E.Vila, Avdyli(Karabeci 63’), L.Vila, Bregu(Gruda 84’), Krasniqi. Trajner: E. Martini
Gjyqtarë Eldorian Hamiti(Lezhë), Denis Rexha(Tiranë), Egin Doda(Tiranë), I katërt: Rejdi Avdo(Tiranë). Arbitër linje: Kridenc Meta(Tiranë), Blerim Ziri(Fushë Krujë).
Delegat: Besnik Çela(Tiranë)-Vëzhgues: Sokol Çekaj(Laç)
Vllaznia-Teuta, takim i luajtur pasditen e së hënës së 3 majit në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës për llogari të javës së 31-të, ishte padyshim ndeshja më kryesore e javës. Në lojë ishin tre rezultate, por përfundimi ishte vetem barazim. Vllaznia mund të themi se humbi dy pikë për vetë epërsinë dhe rastet e pastra që shpërdoroi gjatë ndeshjes, ndërkohë që miqtë nga Durrësi dukeshin të kënaqur edhe me barazimin që i mban përsëri dy pikë më sipër se shkodranët. Por, mbi të gjitha nga ky barazim përfiton Partizani që duke mundur Apoloninë 1 me 0 merr kryesimin e kampion.
Ndeshja
Vllaznia e etur për fitore, gjë të cilën e kishte trumbetuar gjatë të gjithë javës, nuk ka nguruar të sulmojë me forca të shumta që në fillim të ndeshjes. Skema e aplikuar nga Brdariç për ta goditur kundërshtarin që në fillim mund të bëhej realitet që në minutën e pestë nëse Imeri nuk do të shpërdoronte një asis të artë dhënë nga Herald Marku. Nuk majfton presioni i Vllaznisë, por Teuta ndëshkohet me largimin nga fusha për arsye dëmtimi të kapitenit Arapi. Megjithatë, tekniku shkodran i Teutës, Edi Martini merr masat e duhura, ku përpos forcimit të prapavijës tenton edhe të shikojë përpara. Kuqeblutë vazhdojnë të kenë epërsinë në qarkullimin topit, ndërkohë që i ofrohen ndjeshëm golit në sekondat e fundit të kohës shtesë kur pas një gabimi të portjerit Frashëri topi shkon në shtyllën pingule dhe rifutet përsëri në fushë duke lënë në fuqi rezultatin e bardhë, pa gola, 0-0.
Pjesa e dytë
45 minutëshi i dytë i fraksionit të lojës nis me shtatë minuta vonesë, pasi delegati i FSHF-së, Besnik Çela kërkon ndihmën e policisë për të larguar personat e pranishëm në tribunën e “Loro Boriçit” jashtë numrit të protokollit. Një pjesë që duket se durrsakët janë futur me mentalitet tjetër duke shikuar më tepër drejt portës kuqeblu. Por, rastin më të mirë për shënim e ka Vllaznia dhe përsëri me anë të Imerit, që nuk shfrytëzon një pasim të Viktor Da Silvës nga një pozicion ballor brenda zonës së rreptësisë mike me distancë 1012- metra. Në vijim të dy trajnerët lëvizin me stolin duke tentuar të shkojnë tek fitorja, ku edhe pse realisht Vllaznia ishte më afër saj saj, nëse Krasniqi do ta kishte kalibruar si duhet goditjen me kokë në kohën shtesë, Teuta mund të largohej fare mirë me tre pikë nga Shkodra.
Në këtë mënyrë, me barazimin 0-0, Vllaznia humbi dy pikë dhe shansin e artë për të këmbyer vendet me kryesuesen Teuta, por në të njëjtën kohë, edhe trajneri Brdariç humbi bastin me homologun e tij Edi Martini, ku në deklaratën e pragndeshjes tha se do ta mundte kolegun dhe më pas do ta qeraste me një gotë verë të bardhë.
Më i fituari në këtë mes doli Partizani, që pasi mundi minimalisht Apoloninë në “Elbasan Arena” me rezultatin 1-0 me një gol të Jasir Asanit merr krysimin e Superiores me 57 pikë duke lënë në vend të dytë Teuten dhe Vllazninë me 56 dhe 54 pikë.
Në ndeshjet e tjera vlen të përmendet fitorja në transfertë e Skenderbeut ndaj Kastriotit me rezultatin 0-2, tre pikësh ky që rrit jashtë mase moralin e korçarëve për mbijetesë. Ndërkohë, me po aq interes ishte edhe ballafaqimi në Ballsh, Bylis-Tirana, ku barazimi 0-0, e zbeh jo pak atmosferen e bardhebluve për në lidhje me synimet e titullit.
Java e 31-të
E diel
KASTRIOTI-SKËNDERBEU 0-2(Golat: Jean Viktor 67’, K.Vangjeli 90’+5)
BYLIS-TIRANA 0-0
E hënë
VLLAZNIA-TEUTA 0-0
PARTIZANI-APOLONIA 1-0 (Golat: Asani 76’)
LAÇI-KUKËSI 2-0(Golat: Lushkja 6’, 31’)
Gaspër MARKU