Nuk patën mundësi të shijojnë titullin e 10-të kampion të Vllaznisë së Superiores, teksa kuqeblutë humbën finalen me Egnatian 4-0, por sot tifozëria shkodrane pritet t’i gëzohet dy trofeve shumë të rëndësishëm.
Bëhet fjalë për dy finale të vlefshme për titullin kampion. Në Futsal dhe në Futbollin e Vajzave, të cilat që të dyja luhen në kryeqytet.
Të parët që do të masin forcat e tyre janë ato të futsales, kur sot, ora 17:00, në pallatin e sportit “Asllan Rusi” luhet finalja e madhe për titullin kampion në mes Tiranës vendase, disa herë fituese e këtij trofeu dhe Vllaznisë mysafire, e cila pas rikthimit bindës të dy-tre viteve të fundit nën drejtimin e presidentit Fisnik Barbullushi, tenton të fitojë titullin e parë në historinë e saj.
Ndërkohë, në orën 19:30, emocionet spostohen në stadiumin “Arena e Demave” në një finale tjetër po aq të rëndësishme të futbollit të vajzave, në mes Partizanit vendas dhe Vllaznisë mysafire.
Në ndryshim nga futsala, KFF Vllaznia nën drejtimin e presidentit Lazër Matija e ka fituar plotë 11-të herë titullin kampion, dhe sot ka në objektivin e saj parësor të fitojë titullin e 12-të.
Tifozët shkodranë, ato që do të jenë prezent në dy impiantet sportive të kryqytetit, dhe të tjerët që janë në Shkodër e më gjërë, të cilët mund ta ndjekin në ekranin e RTSH Sport, presin një përfaqësim dinjitoz të dy ekipeve kuqeblu, në mënyrë që mbrëmja e sotme e së dielës së 18 majit, të sjellë në qytetin verior dy trofetë kombëtar të titullit kampion.