Merkato-Mehdi Çoba, mungon në listën e Vllaznisë. Destinacioni i sulmuesit kuqeblu, duket në Armeni

Në seancat e para stërvitore të këtij sezoni, një futbollist që nuk ka qenë i pranishëm për Vllazninë, është edhe Mehdi Çoba.

Kontrata e sulmuesit me ekipin kuqeblu ka skaduar dhe burime pranë klubit dhe futbollistit konfirmojnë se nuk ka pasur një kontakt mes dy palëve. Me situatën që momentalisht duket totalisht në ajër dhe e rinovimi i 25-vjeçarit ka “ngecur”.

Megjithatë, nga sa mëson “Panorama Sport” edhe në mënyrë ekskluzive, për mëngjarashin ka kërkuar informacione skuadra e Urartu në kampionatin e futbollit në Armeni. Ekipi që e mbylli sezonin në vendin e tretë të elitës së futbollit armen ka shprehur interesim për shërbimet e numrit “11”. Prandaj duket se për momentin edhe nga ana e sulmuesit gjithçka po përjetohet me qetësi përsa i përket së ardhmes së tij, pavarësisht se për momentin gjithçka është në fazat fillestare të bisedimeve.

Por, duke parë edhe sjelljen e Vllaznisë ndaj mëngjarashit, e ardhmja e tij duket larg 9 herë kampionëve të vendit. Mehdi Çoba është prej 5 sezonesh pjesë e Vllaznisë, ku në edicionin e fundit 2024-25 zbriti në fushë 28 herë në kampionat, duke shënuar edhe 3 gola. Shkodrani në shumë takime është aktivizuar edhe si mbrojtës i majtë, përpos rolit të tij tipik të sulmuesit të krahut.

Endri ÇINARI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu