KF Shiroka, nis riorganizimin e skuadrës për sezonin e ri sportiv 2025-2026. Stafi drejtues me në krye presidentin Ergi Axhani, pikë së pari kanë pasur prioritet përcaktimin e emrit të drejtorit sportiv, ku pas shumë konsultimeve, kanë vendosur të rikthejnë në familjen shirokase argjentinasin Matías Tatangelo, i cili gjatë sezonit të kaluar ishte në cilësinë e trajnerit të parë deri në momentin kur u largua për të drejtuar Apoloninë e Fierit.
Nga sa mësohet, presidenti Axhani ka gati edhe emrin e trajnerit të parë, një emër i njohur i trajnimit të futbollit në Shkodër, i cili do të bëhet i ditur shumë shpejt përmes njoftimit zyrtar të KF Shiroka.
Njoftimi zyrtar i KF Shiroka
Pas një eksperience të suksesshme si trajner gjatë fazës së dytë të sezonit të kaluar, ku kontributi i tij u reflektua në përmirësimin e ndjeshëm të performancës së ekipit, klubi ka vendosur t’i besojë një rol edhe më strategjik në strukturën teknike.
- Tatangelo, i lindur në Argjentinë, është një profesionist me përvojë të gjerë ndërkombëtare në Amerikën Latine dhe Evropë.
Roli i tij do të përfshijë:
- Hartimin e strategjisë afatgjatë të klubit në aspektin sportiv
- Mbikëqyrjen e merkatos dhe përzgjedhjen e talenteve të reja
- Bashkëpunimin e ngushtë me stafin teknik dhe akademinë
- Zhvillimin e filozofisë së lojës në të gjitha kategoritë e klubit
Ne i urojmë mirëseardhje të ngrohtë Matías Tatangelos në këtë rol të ri dhe jemi të bindur se ai do të jetë një shtyllë kyçe në rrugëtimin tonë drejt objektivave madhore.
Gaspër MARKU