Në kuadër të vizitës në Luginën e Preshevës dhe mbështetjes së turneut të futbollit për fëmijë që po zhvillohet në këtë zonë, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një takim zyrtar me Kryetaren e Komunës së Preshevës, znj. Ardita Sinani.
I shoqëruar nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, znj. Anila Basha, dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Serbi, z. Bardhyl Canaj, Presidenti Duka u prit në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku u diskutuan mundësitë për intensifikimin e bashkëpunimit për zhvillimin e futbollit në këtë komunë.
Në fokus të takimit ishin projektet për përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve – vajza dhe djem – në aktivitete të organizuara dhe bashkëpunimi i mëtejshëm institucional në të gjitha nivelet.
Kryetarja Sinani vlerësoi mbështetjen e FSHF-së në organizimin e turneut të futbollit për fëmijë, që për pesë ditë me radhë ka përfshirë mbi 300 fëmijë nga Presheva, Bujanoci dhe diaspora shqiptare në grupmoshat U-7, U-9, U-11 dhe U-13.
Presidenti Duka, nga ana e tij, nënvizoi se ky turne është vetëm fillimi i një angazhimi të qëndrueshëm të FSHF-së në Preshevë, dhe se do të ndiqen hapa konkretë në mbështetje të zhvillimit të futbollit në këtë zonë me potencial të madh sportiv.