Ashtu si edhe vitet e mëparshme ku ka qënë sistematikisht pjesëmarrëse në Champions League, edhe për këtë sezon sportiv, Vllaznia e futbollit femra, në cilësinë e skuadrës kampione të Shqipërisë, vazhdon të jetë pjesë e konkurimit të këtij kompeticioni.
Nisur nga koefiçenti pozitiv i fituar nga pjesëmarrjet e mëparshme në këtë ligë, ka bërë që Vllaznia ta nisë edicionin e ri nga turi i dytë i këtij kompeticioni, ndeshjet e të cilit do të zhvillohen me sistem grupi në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri kuqeblu Nikolin Leka bën të ditur se faza përgatitore po ecen mjaft mirë, skuadra nuk ka dëmtime, ndërkohë që blerjet e reja në merkato nga presidenti Lazër Matija, e kanë forcuar skuadrën edhe më tepër.
Sipas teknikut Leka, skuadra është gati për fundin e muajit, kur do të nisin edhe ndeshjet në grup, por deri atëherë do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, përpos asaj që barazoi në transferte, 0-0 me Buduçnostin e Podgoricës.
Vllaznia është pjesë e grupit 4 së bashku me skuadrën hungareze e Ferencvarosh, atë bjelloruse e Dinamo BSUPC si dhe fituesja e grupit të parë që do të dalë nga ndeshjet e turit të parë. Të gjitha ndeshjet e grupit 4 do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, të planifikuara në fundin e muajit gusht, dhe krahas të tjerave, kjo është edhe një përgjegjësi më shumë për të kënaqur dhe gëzuar fansat kuqeblu me fitore dhe kualifikim në grup.
(Video) Pamjet e plota të proçesit stërvitor të ekipit kampion Vllaznia për femra, si dhe prononcimin e trajnerit Nikolin Leka, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.