Sfida mes Vllaznisë dhe Partizanit është një ndër takimet më historike në historinë e futbollit shqiptar. Të dyja skuadrat kanë rivalitet të madh, që përherë ka mbetur në fushën e lojës duke lënë respekt në tifozëritë e të dyja skuadrave. Partizani ka pjesë të tij futbollistë që kanë kontribuar për Vllazninë. Dhe anasjellas. Viktor Da Silva dhe Nebi Qokthi janë dy lojtarë, që mund ta ndjejnë veten si ish në “Loro Boriçi”.
Da Silva është një ndër lojtarët më të spikatur te kuqeblutë në vitet e fundit. Te Partizani është kthhyer për herë të dytë, pas sezonit ku u fitua titulli kampion. Braziliani regjistron 63 paraqitje me fanellën e shkodranëve.
Në anën tjetër te Partizani ka 43 deri tani. Ndryshe është historia për Qokthin. 19-vjeçari është nga talentet që zgjodhi të largohej nga akademia e Vllaznisë. Partizani kishte fatin të kontribuonte në rritjen e Qokthit, ndërsa muajin e kaluar firmosi kontratë si profesionist dhe debutoi me të kuqtë. Sigurisht që emocionet për të në Shkodër nuk mund të pakta. Dhe pse nuk ka veshur fanellën e ekipit të parë, ajo e akademisë së Vllaznisë rëndon shumë. Marçelino Preka ndërkohë është nga Shkodra, por nuk ka luajtur me kuqeblutë.
VLLAZNIA- Në skuadrën e Edi Martinit janë katër futbollistë, që e njohin mjaft mirë ambientin e kuq. Bëhet fjalë për Esin Hakajn, Sherif Kallakun, Esat Malën dhe Ensar Tafilin. Ky i fundit ka luajtur për moshat e kryeqytetasve, para se të kthehej në shtëpi. Esin Hakaj po ashtu ka kontribuar te Partizani, ndërsa tashmë është në shtëpinë e tij. 28-vjeçari nga Shkodra e nisi gjithçka te Vllaznia, para se të transferohej te Partizani. Ndryshe është rasti i Esat Malës, i cili mundësinë e parë në futbollin shqiptar e mori nga Partizani ku fitoi edhe titullin.
Te Vllaznia ndërkohë ka tre vite. Sherif Kallaku luajti për Partizanin si i huazuar në edicionin e vështirë 2021/22. Kartoni i tij tashmë i përket shkodranëve. Duke parë këtë historik, pasi janë edhe futbollistë që pritet të fitojnë minuta, ky takim premton emocione. Aktualisht Partizani numëron 4 pikë, të grumbulluara pas fitores me Vorën dhe barazimin ndaj Teutës. Në anën tjetër ndodhet Vllaznia me 3 pikë. Skuadra e Martinit fitoi takimin e parë me Egnatian, por u mposht në të dytin ndaj Dinamos.
PANORAMASPORT.AL