Vllaznia e volejbollit femra do ta nis Kampionatin Kombëtar me trajnerin e ri Dorian Tafa në krye, i cili rikthehet të drejtojë skuadrën kuqeblu duke zëvendësuar në detyrë kolegen e tij Nora Deda, e cila u tërhoq pas problemeve organizative që shfaqi skuadra në prag të fillimit të Kampionatit.
Veriu Sport ishte i pranishëm në seancën stërvitore të skuadrës kuqeblu, dy ditë nga nisja e kampionatit duke konstatuar se në dispozicion të trajnerit Dorian Tafa dominonin vajzat e reja, ndërkohë që prezent nuk ishte asnjë prej volejbollisteve të huaja që janë aktivizuar sezonin e kaluar sportiv.
Në prononcimin e tij të parë pas konfirmimit në detyrë, trajneri Dorian Tafa, i cili ka vetëm pak ditë që ka nisur punën me skuadrën, shpreh shqetësimin për situatën aktuale në skuadër ku mungojnë titullaret e sezonit të kaluar. Por, ndërkohë, shpreson se me mbështetjen e Bashkisë Shkodër do të bëhet e mundur përforcimi i skuadrës me element me përvojë, nga vendi, apo kampionatet e huaja.
Debutimin e tij të parë në rikthimin e drejtimit të Vllaznisë, trajneri Dorian Tafa do ta ketë mesditën e së shtunës për javën e parë të Kampionatit Kombëtar duke pritur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, Skënderbeun e Korçës.
(Video) Prononcimin e plotë të trajnerit të Vllaznisë volej femra, Dorian Tafa,si dhe pamje nga seanca stërvitore të skuadrës kuqeblu, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar: Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU