Kujtim Shaba, ish-administratori dhe futbollisti i Vllaznisë së fundmi ka dhënë një intervistë për “Panorama Sport”.Në fjalët e tij ish-drejtuesi kuqeblu është ndalur te starti i këtij fillim sezoni te Vllaznia. Duke theksuar se 9 herë kampionët e vendit kanë treguar kualitet dhe futboll cilësor, duke merituar fitoret në fushën e lojës. Ndër të tjera ai shton se patjetër ka vend për pëmirësim dhe se skuadra ka potencial për akoma më tepër. E teksa ndan edhe një mendim për duelin e rradhës në kampionat, atë kundër Teutës ku thekson se pret një rezultat pozitiv nga ekipi i Martinit.
Si e keni shikuar Vllazninë në këtë fillim sezoni?
Mendoj se kanë bërë një fillim siç pritej, skuadra këtë sezon nga përbërja që ka dhe është ndërtuar ka qartë ambicie të mëdha. Ambiciet e mëdha po ashtu vijnë nga një futboll cilësor dhe Vllaznia e ka shfaqur deri më tani. Skuadra ka merituar pikët në fushën e lojës e ndoshta mund të kishte edhe më shumë të tilla. Sepse ajo humbje me Dinamon pavarësisht rezultatit 3-1 për kundërshtarër, për ata që kanë parë ndeshjen diferencat nuk ishin të tilla. Por, këto ndodhin në futboll dhe ekipi reagoi siç duhet me fitore kundër Partizanit.
Bindin shkodranët deri më tani?
Mund të them se po, sepse kanë luajtur ndaj 3 kundërshtarëve më të mirë të kampionatit në opinionin tim. Skuadra është sprovuar me duele të forta që në start të edicionit dhe kjo patjetër tregon shumë për forcën e saj dhe atë çfarë mund të presim në të ardhmen. Por, asnjëherë nuk mund të kënaqesh në sport, gjithmonë ka vend për më mirë dhe eleminuar çdo gabim. Prandaj me punë Vllaznia duhet të arrijë drejt më të mirës së saj.
Duhet të presim diçka më shumë nga skuadra?
Pres ndonjë rregullim në mbrojtje, ngaqë ekipi sulmon me forca të shumta ku shpesh 5-6 lojtaë janë në zonën kundërshtare lihen hapësira pas. Dhe ky nuk është një faj i mbrojtjes, por deficit ndoshta momental i stilit që po përdor Vllaznia. Ngaqë preson lart dhe mban shumicën e kohës topin, mund të ketë edhe këto “defekte”. Që duhen shikuar me kujdes, por nëse shënon më shumë se kundërshtari çdo herë atëherë ky fakt nuk përbën ndonjë problem të madh.
Nga cilët elementë duhet pritur? Nga të ardhurit në merkato, klubi ka sakrifikuar për t’i afruar në gjirin e tyre. Janë marrë për të bërë diferencën dhe emrin që kanë. Bismark i dha sinjalet e duhura që në ndeshjen e parë me Vllazninë. Po ashtu Kallaku duket se po shkon në nivelin që jemi mësuar ta shohim në të shkuarën. Ndërkohë po pres ende diçka nga Kastrati, pavarësisht se nuk mund të them se është paraqitur dobët. Por, pres atë klasin dhe shpërthimet e tij në krahë.
Si mund të aktivizohen në një skuadër me kaq shumë “yje”?
Është shumë e vërtetë kjo që po thoni, por një futbollist i mirë di t’i bëjë vend vetes. Sezonin e kaluar ishte Dodaj dhe Jukaj që fituan fanellën e titullarit me paraqitjet e tyre në fushë, nuk të fal kush asgjë. Por, patjetër të rinjtë duhet të kenë shansin e tyre dhe kjo mund të vijë nga vetë skuadra. Kjo pasi Vllaznia i ka mundësitë të bëjë dy faza të para shumë të mira dhe të krijojë diferencë me kundërshtarët. Në këtë mënyrë presioni do ulej dhe do kishte mundësi aktivizimi më të shumta për futbollistët e rinj dhe të talentuar.
Çfarë ka ndryshuar nga sezoni i shkuar?
Mund të them shpirti i garës që shihet qartë në fushën e lojës. Futbollistët duan të luajnë dhe tregojnë cilësitë e tyre, kanë grintë për të bërë mirë dhe shumë besim në vetvete. Kjo ka lidhje shumë me anën psikologjike dhe mënyrën se si qasesh ndaj kundërshtarit. Po ashtu skuadra ka lojtarë shumë më shumë cilësorë se në vitet e shkuara dhe kjo patjetër ndikon në një performancë më të mirë.
Është kjo skuadër pretendente kryesore për titullin?
Absolutisht që po, besoj se është skuadra më e mirë investuar dhe mirë paguar. Janë krijuar kushtet e duhura që Vllaznia të ketë vetëm një objektiv që është titulli kampion. Futbollistët kanë cilësi dhe eksperiencë për të përballuar presionin dhe dalë mbanë në fund. Për kundërshtarët besoj se do jenë Egnatia, Dinamo dhe Partizani, me Dinamon që e shoh disi më afër Vllaznisë. Gjithçka mund të ndodhë deri në fund, por besoj se katërshja finaliste e kampionatit do jetë njësoj si në edicionin e shkuar
Si e parashikon duelin me Teutën?
Teuta ka ndryshuar këtë sezon, ka një ekip shumë më të fortë se edicionin e shkuar me atë çfarë kam parë deri më tani. Pra, janë një kundërshtar që duhet respektuar gjithmonë dhe them se do jetë një përballje e fortë. Por, kam një besim që Vllaznia e kalon me sukses këtë provë dhe vijon në rrugën e rezultateve pozitive. Dhe me këtë besoj se arrin një fitore të dielën.
Endri ÇINARI



