Prononcimi i trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, pas ndeshjes, Egnatia-Tirana, 2-0
“Problemi i ritmit është ai brenda skuadrës, që kërkoj nga lojtarët të bëjnë. Por edhe sot kishim pak vonesa, por më mirë se ndeshjet e tjera. Në pjesën e dytë lëshuam goxha, nuk punuam siç bëmë në pjesën e parë, se ishim përgatitur që pesëshen para të Tiranës ta ftonim në një anë dhe të kishim krahun tjetër të shkonim në manovër. Duke parë presingun jo të mirë të Tiranës, lojtarët u joshën nga kjo pjesë dhe kaluan disi në aventurë.
Lojtarët duhet të jenë të vetëdijshëm para portës, i kemi punuar, ishin momente flagrante para portës, vetëm për të shtyrë topin në rrjetë. Por shpresojmë që ndeshje pas ndeshje të rregullojmë shënjestrën.
Haime po e bënte detyrën shumë mirë. Fernandon e kishim për të ftuar pesëshen e Tiranës, se siç pashë me Flamurtarin bëri presing të mirë. Menduam të merrnim zonat e ndërmjetme për të marrë topin me Sotën dhe që linja e kundërshtarit të ishte me një kundër një në lojtarët tanë në linjën e fundit.
Fangaj nuk ka probleme, në javët në vazhdim do të jetë i pranishëm. Ai është shumë i rëndësishëm për ne, mendoj se ka ndeshje që do pushojnë lojtarë, do luajnë të tjerë se të gjithë janë të preferuar për të qenë në fushë.
Patjetër që analizën personale e kam parë edhe më parë, se Bordin ka qenë në Elbasan dhe në ekipe të tjera, është i njëjti sistem me 5-3-2 në vijë të drejtë dhe me 5 lojtarë që bëjnë presing. Është njëlloj si te Elbasani, e njëjta zgjidhje që ua rikujtova disa lojtarëve. Pastaj për pjesën e manovrës na duhet më tepër shpejtësi.
Mendoj që tani është viti i katërt, lojtarët i kemi zgjedhur me karakteristika që të përafrohen me 2-3 gjëra, pjesën tjetër ta shtojmë ne. Por këto zgjedhje kanë qenë më afër djemve që janë larguar”, tha Tetova për RTSH pas ndeshjes.


