Vllaznia-Dinamo 1-3(19-25, 10-25., 25-23, 19-25)
Mbrëmja e së dielës ka rezervuar dy sfida interesante të Kampionatit Kombëtar të Superligës në volejboll për femra dhe meshkuj.
Të parët që kanë zbritur në fushën e lojës kanë qënë Vllaznia dhe Dinamo në volejboll femra. Një ndeshje që nisi më mirë Dinamon, e cila arrin të fitojë dy setet e parë, përkatësisht me shifrat 19-25 dhe 10-25.
Me avantazhin e dy seteve u krijua përshtypja se Dinamo do ta kishte të lehtë fitoren e krejt ndeshjes 0-3, por vajzat e drejtuara nga trajneri Dorjan Tafa e përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme lojën e tyre dhe duke arritur të fitojnë setin e tretë 25-23 krijojnë një atmosferë shumë entuziaste në shkallët e pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.
Vllaznia bën të gjitha përpjekjet për ta fituar edhe setin e katërt, në mënyrë që ndeshja të shkojë me set final, por rivaliteti shkon deri në pikën e 19-të, sepse më pas, falë përvojës dhe kualiteteve në formacionin e saj me lojtare të huaja, Dinamo fiton 19-15 dhe të gjithë ndeshjen, 1-3.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, trajneri kuqeblu Dorjan Tafa, shprehet i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij, e cila po shënon rritje nga ndeshja në ndeshje. Sipas tij, në pritje të një blerje tjetër nga jashtë, Vllaznia do të jetë një kundërshtar dhe rival i fortë me të gjitha skuadrat e Superligës së femrave.
Ndërkohë, për trajnerin dinamovit, Orlando Koja, i cili pas një përvoje disa vjeçare në krye të Skënderbeut, rikthehet në klubin e tij të zemrës, Dinamo është pretendente për fitimin e titullit kampion. Ndërsa, sa i takon Vllaznisë, Koja përcjell komplimente për paraqitjen e kësaj skuadre, e cila e vuri në vështirësi për fitimin e ndeshjes.
(Video) Prononcimet e plota të trajnerëve Dorjan Tafa dhe Orlando Koja, si dhe setin e katërt të plotë, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.



