Shkodra dhe Kosova, dhe në veçanti Shkodra dhe Ferizaj, kanë një bashkëpunim të kahershëm në sportin e handballit duke marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme, kombëtare dhe ndërkombëtare, të organizuara në dy qytetet përkatës.
Këtë here ishte radha e ekipit të veteranëve të Klubit të Handballit Vllaznia të ishin mysafir në Kosovë dhe konkretisht në Ferizaj, aty ku në Pallatin e Sportit “Bill Clinton” të këtij qyteti konkuruan në kuadrin e edicionit të tretë të Turneut Ndërkombëtar në nderim të ish drejtuesit të hendbollit Ferizaj, Ahmet Hyseni-Petrova.

Vili Haxhija, Artan Durro, Ridvan Dibra, Arjan Ibërshimi, Ardit Qiellza, Xhulio Dushi, Indrit Albuneza, Arjet Dani, Ilir Kuka, Gent Rroi, Edmond Dushi, ishin pjesë e delegacionit sportiv shkodran, që ashtu si edhe herët e tjera u priten me shumë respekt dhe konsideratë nga autoritetet sportive, si dhe ato të qeverisjes vendore të Ferizajt.
Por, natyrisht, që vemendjen kryesore e mori konkurimi mes katër ekipeve pjesëmarrëse, ku të parët që zbritën në parketin e pallatit të sportit “Bill Clinton” të Ferizajt, ishin ekipet e veteranëve të Vllaznisë dhe ato të Drenicës.

Një ndeshje kjo shumë e dyluftuar, e cila u shoqërua me shumë rivalitet, gjë të cilën e pasqyrojnë edhe barazimet e shumta gjatë ecurisë së takimit. Në minutën e fundit të ndeshjes, Drenica shënon golin e 20-të në këtë ndeshje ndaj 19-të të Vllaznisë.
Veteranët kuqeblu, ushtrojnë presion për të barazuar dhe më pas, pse jo edhe për ta fituar takimin, por koha nuk mjafton, sepse përballë një mbrojtje të ngjeshur nga ana e drenicasve, shifrat e rezultatit 20-19 në favor të tyre mbeten në fuqi duke fiksuar fitoren e ngushtë të Drenices.

Në ndeshjen tjetër, KH i veteranëve Kastrioti Ferizaj, mund KH i veteranëve Vjosa-Shtime Kosovë, duke siguruar finalen me Drenicen.
Përpara se të zhvillohej finalja Ferizaj-Drenica, Vllaznia(Shkodër) dhe Vjosa Shtime-Kosovë u ndeshen për vendin e tretë dhe të katërt, takim i fituar nga ekipi kuqeblu i veteranëve të Vllaznisë me rezultatin 12-10.
Trofeun e Turneut Ndërkombëtar “Ahmet Hyseni-Petrova”, e fitoi ekipi i veteranëve të KH Ferizaj, i cili mundi në finale ekipin e veteranëve të KH Drenica.
(Video) Pamje nga Turneu Ndërkombëtar “Ahmet Hyseni-Petrova” zhvilluar në Ferizaj Kosovë, si dhe ndeshjet e veteranëve të KH Vllaznia ndaj veteranëve të KH Drenica dhe KH Vjosa(Shtime-Kosovë), shoqëruar edhe me intervista nga ekipin i Vllaznisë dhe organizatorët, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



