Ardian Nuhiu do të debutojë në krye të Tiranës në sfidën kundër Bylisit, që do të luhet nesër në orën 14:00 dhe do të transmetohet në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes, tekniku i ri i bardhebluve deklaron se ka besim te skuadra dhe synon që të rikthejë Tiranën te fitoret.
“Dua të falenderoj presidentin dhe drejtuesit për besimin e dhënë. Jam i vetëdijshëm për ecurinë e skuadrën, e kam marrë me shumë përgjegjësi. Skuadra gjithandej ka shumë tifozë dhe jam i motivuar jashtëzakonisht shumë, që ta udhëheq këtë skuadrën dhe ta rikthej drejt fitoreve sepse mendoj që meriton kjo skuadër.
E njoh shumë mirë skuadrën sepse kam ndjekur kampionatin shqiptar. Kam analizuar skuadrën dhe kualitetin e grupit. Jo rastësisht e kam marrë skuadrën, kam besuar fort te çunat. Mendoj që klasifikimi nuk përcakton kualitetin që kanë ata. Gjëja e parë që më intereson te grupi, të kthejmë besimin dhe shpirtin e fitoreve te kjo skuadër.
Objektivi në radhë të parë është të kthej besimin te grupi, të stabilizoj skuadrën dhe të fus atë mënyrën apo filozofinë si dua të luaj unë me këtë skuadër. Kam besim të plotë te kualiteti i grupit.
Futbolli nuk njeh kundërshtar të dobët, ne duhet të bëjmë maksimumin në ndeshjen e nesërme. Shumë përkushtim nga secili futbollist, maksimumi nga të gjithë. Duhet ta duam të gjithë fitoren, dhe nëse arrijmë ta duam dhe ta luftojmë, ta besojmë fuqishëm të gjithë, atëherë besoj që do ta arrijmë.
Keni një mesazh për tifozët? Patjetër, unë dua që ata të vijnë të na mbështesin. Nuk kanë munguar në asnjë stadium sepse i kam ndjekur. Në këtë moment ata i duhen shumë skuadrës, futbollistëve. Ejani na mbështesni sepse besoj që kjo skuadër do i bëjë krenarë, siç ata e meritojnë”, ka thënë mes të tjerash Nuhiu.



