Vllaznia-Egnatia 11-0
(Shënuese: Megi Doçi 37’, 68’, Trasvina Renteria 57’, Teresa Deda 61’, 71’, Arbiona Bajraktari 64’, Carmen Montenegro 75’ 90+3’, Jennessa Groves 79’, Verona Berisha 80’, 85’)
Formacioni i Vllaznisë: Cabanas Recalde, Riselda Leba, Susanë Vuksani, Arbiona Bajraktari, Teresa Deda, Klaudia Borçi, Megi Doçi, Trasvina Renteria, Anakah Madril, Carmen Montenegro, Fernanda Cid Macias(U aktivizuan: Solares Myvett, Verona Berisha, Merinela Ndoci, Jennessa Groves, Mireiles Rojas). Trajner: Nikolin Leka
Vllaznia 11 dhe Egnatia 0. Ky është rezultati i ndeshjes së luajtuar mes këtyre dy skuadrave për llogari të javës së gjashtë të Kampionatit Kombëtar të Superiores të futbollit për femra.

Sfida e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës paraqiti dy tablo. Një pjesë e parë e dominuar tërësisht nga Vllaznia, por me shumë raste të shpërdoruara dhe vetëm një gol të shënuar nga kapitenia Megi Doçi në minutën e 37-të duke mbyllur 45 minutat e para 1-0 për kuqeblutë. Dhe, një pjesë e dytë me plot dhjetë gola në portën mysafire të Egnatias.
Edhe 45 minutat e dyta nisin nën diktatin e Vllaznisë, por përsëri me raste të shpërdoruara nga vendaset, kjo edhe për meritë të portjeres rrogozhinase Mançellari që me grushtimet e saj devijon disa topi goli.
Megjithatë, ndërhyrjet e teknikut Nikolin Leka duke karikuar, pse jo edhe kritikuar skuadrën, bëjnë efektin e duhur. Kësisoj, goli i dytë del në skenë në minutën e 57-të me Trasvina Renteria.
Kaq ishte, sepse në vijim dy protagonistet e kësaj ndeshje, kapitenia Megi Doçi dhe shkodranja e ardhur nga Amerika Teresa Deda, tundin tre herë rrjetën kundërshtare duke fiksuar dopietat e tyre në këtë ndeshje.
Nuk mungon edhe shtatlartja Arbiona Bajraktari që shënon me kokë, për t’i lënë vend koleges së saj nga Kosova Verona Berisha që shenon dy gola, po aq sa edhe Carmen Montenegro, ndërkohë që në listën e golashënsueve për Vllaznisë shënohet edhe Jennessa Groves duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me fitoren e thellë të Vllaznisë me rezultatin 11 me 0.
Kjo është fitorja e pestë radhazi e Vllaznisë në pesë ndeshje duke kryesuar Superioren e futbollit të femrave me 15 pikë të plota dhe me golaverazh super pozitiv, 52-1.
Javën e ardhshme, Vllaznia e femrave udhëton për në Fier për t’u përballur me një skuadër rivale, e cila ashtu si edhe vitet e mëparshme ka në objektiv fitimin e trofeut, gjë që e bën edhe më interesant sidën mes këtyre dy ekipeve.
(Video) Ndeshjen Vllaznia-Egnatia(11-0), si dhe prononcimet e trajnerit të Vllaznisë Nikolin Leka dhe të autores së dy golave, Verona Berisha, mund t’ i ndiqni në kanain tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



