Flamurtari ka arritur të marrë një barazim me shumë vlerë në transfertë ndaj Elbasanit, duke e shtangur ekipin verdheblu në javën e 19-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” u mbyll në barazim 1–1, në një ndeshje ku vendasit dominuan për pjesën më të madhe të lojës, por pa arritur të ruajnë avantazhin deri në fund.
Elbasani e mori në dorë kontrollin e takimit që në minutat e para, duke ushtruar presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare dhe duke krijuar disa raste shënimi. Epërsia u konkretizua në minutën e 73-të, kur Diallo u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë avantazhin verdhebluve dhe duke ndezur festën në tribuna.
Megjithatë, gëzimi i vendasve zgjati pak. Në minutat e fundit të takimit, Flamurtari reagoi dhe arriti të barazojë rezultatin me golin e Oshafit. Realizimi i sulmuesit të skuadrës së drejtuar nga Moriero tronditi Elbasanin, i cili jo vetëm që humbi avantazhin, por rrezikoi edhe të pësonte golin e dytë në minutat shtesë.
Skuadra e drejtuar nga Gvozdenoviç u përpoq të rikthente epërsinë, por mungoi qartësia në finalizim, ndërsa Flamurtari tregoi grintë dhe vendosmëri për të mbrojtur rezultatin e barabartë deri në vërshëllimën finale.
Pas përfundimit të 19 javëve kampionat, Elbasani mban vendin e dytë në renditje, me 3 pikë më pak se kryesuesja Egnatia, duke humbur një mundësi të mirë për t’iu afruar kreut. Në anën tjetër, Flamurtari vijon të renditet në vendin e parafundit, me 4 pikë më pak se Vora, që ndodhet aktualisht jashtë zonës së ftohtë, por ky barazim në transfertë i jep shpresë vlonjatëve në luftën për mbijetesë.



