Ish-trajneri kampion i Vllaznisë, Dervish Haxhiosmanoviç, ka analizuar për “Panorama Sport” situatën aktuale të kuqebluve, duke u ndalur te përgatitjet verore, eliminimi në “Conference League” dhe perspektiva e skuadrës për sezonin e ri.
Sipas tij, dalja e hershme nga Europa ishte një dështim, ndërsa Vllaznia ende nuk duket në nivelin e sezonit të kaluar. Megjithatë, Haxhiosmanoviç thekson se është ende herët për të dhënë një gjykim përfundimtar. Ai mendon se skuadra duhet vlerësuar pas tre ose katër javëve të para të kampionatit, kur të jetë krijuar një pasqyrë më e qartë e potencialit të saj. Edhe pse aktualisht nuk e sheh situatën shumë pozitive, veterani i stolit, si ish-trajner dhe tifoz i Vllaznisë, shpreson që kuqeblutë të përmirësohen dhe të jenë në garë për vendet e para të Superiores.
Profesor, si e keni parë Vllazninë në këtë fillim edicioni?
Mund të them se nuk ka qenë brenda pritshmërive të mija personale, prisja patjetër një fytyrë tjetër nga ekipi. Sidomos në debutimin sezonal në Europë, që do jepte një bonus për moralin, por edhe financat e skuadrës. Zakonisht në historinë e saj, Vllaznia e ka kaluar gjithmonë turin e parë në kompeticionet europiane e diçka të tillë e prisja edhe kësaj radhe. Megjithatë, ekipi ka bërë shumë ndryshime e kjo nuk është në favorin e trajnerit e stafit teknik, të cilët duhet të rifillojnë edhe njëherë për të rindërtuar ekipin në krahasim me atë që mbylli sezonin e shkuar.
Duhet të ndryshojnë diçka shkodranët para nisjes së edicionit të ri?
Ajo besoj se shihet qartë se diçka duhet ndryshuar dhe atë e dinë më mirë ata brenda ekipit. Ne nga jashtë mund të themi se skuadra ka këto 2-3 defekte, por për t’i përmirësuar nuk mundemi. Ekipi duhet të marrë formën fizike optimale sa më shpejt, pasi personalisht nuk më bindin nga kjo pjesë. Unë jam fanatik i futbollit të bukur, por edhe përgatitjes fizike, pasi kur nuk mund të luash të paktën vrapo dyfishin e kundërshtarit e bëja të vështirë. Po ashtu duhet ndërtuar një “bërthamë” futbollistësh që të udhëheqin skuadrën, pasi largimet patjetër kanë ndikuar tek balancat e Vllaznisë
Endri ÇINARI


