Sonte prej orës 18:30 do të ngrihet sipari i javës së tretë të Abisnet Superiore me përballjen Egnatia-Skënderbeu.
Kampionët në fuqi do të presin në shtëpinë e tyre “Arena Egnatia” skuadrën korçare, në një duel që pritet të sjellë rivalitet dhe interes të madh.
Pas dy javëve të para të kampionatit rrogozhinasit kanë dhënë një sinjal të qartë për objektivat e tyre.
Egnatia ka mar pikët e plota në dy ndeshjet e zhvilluara duke shënuar gjashtë gola dhe duke e nisur sezonin në mënyrën më bindëse të mundshme.
Forma e skuadrës së drejtuar nga stoli rrogozhinas e bën Egnatian favorite edhe në përballjen e sotme.
Në letër Skënderbeu e ka të vështirë të përballojë një Egnatia në këtë moment, sidomos duke pasur parasysh startin perfekt të kampionëve.
Megjithatë korçarët do të kërkojnë të tregojnë një tjetër fytyrë dhe të dalin me rezultat pozitiv nga një transfertë që nuk është aspak e lehtë.
Edhe statistikat e përballjeve të fundit në Rrogozhinë nuk janë në favor të Skënderbeut.
Në pesë ndeshjet e fundit mes dy skuadrave të zhvilluara në fushën e Egnatias, korçarët kan regjistruar vetëm një fitore dhe një barazim ndërsa në tri raste kanë dalë të mposhtur.
Egnatia kërkon të vazhdojë serinë perfekte dhe të ruajë ritmin e javëve të para ndërsa Skënderbeu synon të surprizojë kampionët në fuqi dhe të mar një rezultat të rëndësishëm në një nga transfertat më të vështira të sezonit.
Fatos LAMAJ


